Flash News

KRYESORE

Salianji i përgjigjet me fakte Gjiknurit: Mashtron! Edmond Bego s'ka marrë leje minerare nga ish-ministri demokrat

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar sërish ndaj Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, sa i përket procedurave të miratimit të lejes minerare për shfrytëzim mineralesh dhënë subjektit “Inerte Expres”.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një deklaratë publike, shkruan se e gjithë procedura që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit.

Mirëpo, teksa publikon dokumentet e kontratës, Saliani shprehet se leja i është dhënë praktikisht pa garë Edmond Bego.

Po ashtu, Salianji mohon që Bego të ketë marrë leje minerare në vitin 2009 nga një ish-ministër demokrat. “Në vitin 2009 “Inerte Expres”nuk ka qenë në pronësi të Edmond Begos”, shkruan në reagimin e tij në Facebook deputeti demokrat.

DEKLARATË E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hedh poshtë si plotësisht të pavërteta dhe të qëllimshme deklarimet e bëra sot nga subjekti politik Partia Demokratike rreth procedurave të miratimit të lejes minerare për shfrytëzim mineralesh dhënë subjektit “Inerte Expres” sh.p.k. Partia Demokratike pretendon se leja minerare në fjalë është miratuar pa një procedurë gare.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron median dhe opinionin publik se e gjithë procedura që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit.

Me shkresën Nr.3454/1, prot, datë 4.6.2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë i është drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik për shpalljen e garës për disa zona minerare mes të cilave edhe ajo me Nr.394/1. Konkretisht, Ftesa për Ofertë mban Nr.3454, datë 4.6.2014.

Në vijim të Ftesës për Ofertë të paraqitur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Agjencia e Prokurimit Publik, në Buletinin e datës 16 Qershor 2014 ka botuar procedurën e hapur konkuruese për lejet minerare mes të cilave edhe ajo me Nr.394/1. Sipas kësaj shpalljeje, afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga subjektet e interesuara për këtë zonë ishte data 11.07.2014, ora 10:00. (Referoju Buletinit Dt.16 Qershor 2014 të APP).

Në datën 11.07.2014, ora 10:00 është zhvilluar procedura e hapjes së ofertave për këtë zonë minerare. Për këtë zonë konkuruese, subjekti “Inerte Expres” sh.p.k. ka depozituar të gjithë dokumentacionin e kërkuar ligjor përfshirë: Vërtetimin e Zyrës Përmbarimore me Nr.2133, datë 3.07.2014; Vërtetimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 8.07.2014 dhe Vërtetimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë datë 8.07.2014. Në këto dokumente vërtetohet se shoqëria “Inerte Expres” sh.p.k me përfaqësues Mond Bega nuk ka detyrime ndaj personave fizik, juridik, privat apo shtetëror (përmbarimi); nuk ka proces gjyqësor penal në gjykatë (vërtetimi i gjykatës); nuk ka procedim penal të regjistruar në ngarkim të tij (vërtetimi i prokurorisë).

Nga shqyrtimi i të gjithë dokumentacionit, subjekti ka plotësuar të gjithë rubrikën e kritereve të parashikuara në Ftesën për Ofertë. Siç mund të shihet, e gjithë procedura e garës është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe në mënyrë transparente.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se subjekti “Inert Expres” sh.p.k. ka disa vite që ushtron aktivitetin në industrinë minerare. Për dijeninë e deputetit të ri Ervin Salianji, ky subjekt është pajisur në datën 08.09.2009 me leje shfrytëzimi për vendburimin “Kodra e Shulcit” Mamurras, firmosur nga ish-ministri i Partisë Demokratike në atë kohë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i bën thirrje Partisë Demokratike që të ndalojë fushatën e spekulimeve të qëllimshme politike por të kërkojë informacion zyrtar pranë institucioneve të shtetit për çdo pretendim.

Reagimi i Salianjit:

Damian Gjiknuri nuk mund të fshihet pas së kaluarës dhe as të mashtrojë qytetarët me teknikalitete, që mbulojnë të vërtetën.

Njoftimi i fituesit nga Ministria e Gjiknurit nuk flet për pjesëmarrës të tjerë në garë, çka do të thotë se leja i është dhënë praktikisht pa garë mikut trafikant droge të Taulant Ballës.

Mashtrimi tjetër i Damian Gjiknurit është se Edmond Bego ka marrë leje minerare në vitin 2009 nga një ish ministër demokrat.

Në vitin 2009 “Inerte Expres”nuk ka qenë në pronësi të Edmond Begos.

Në vitin 2009, Edmond Bego u arrestua nga Qeveria e Partisë Demokratike si një nga anëtarët më të rrezikshëm të bandës më të pamëshirshme, bandës së Lushnjës.

Është fakt i pandryshueshëm se Damian Gjiknuri ka firmosur një leje minerare për një të dënuar me 21 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge.

Prandaj është urgjente që prokuroria të hetojë nëse Taulant Balla ka bërë sekserin e mikut trafikant tek Damian Gjiknuri dhe kudo tjetër që ka marrë miliona euro nga paratë publike në kundërshtim me ligjin.

Provat në Dokumentat më poshtë, QKB dhe kontrata e shitjes.

Të fundit