Flash News

KRYESORE

Samiti i Berlinit I SHPJEGUAR. Vendimarrja për Kosovën dhe Ballkanin në duart e boshtit Gjermani-Francë

Samiti i Berlinit I SHPJEGUAR. Vendimarrja për Kosovën dhe Ballkanin

Politiko.al

Më pak se 12 orë i kushtuan Ballkanit Perëndimor dy liderët e Bashkimit Evropian, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, dhe mesazhet më të rëndësishme u dhanë nëpërmjet deklaratave që nuk u bënë sesa atyre që u thanë publikisht.

Pritej mbështetje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave, por kjo çështje nuk u përmend në konferencë nga Merkel dhe Macron. As liberalizimi i vizave për Kosovën, apo një anëtarësim i Malit të Zi në BE në 2025-ën.

Ndonëse një takim jo-formal, ky samit i Berlinit shërbeu ‘për të vendosur pikat mbi i’ sa i përket ndryshimit të kufijve, si dhe e kaloi çështjen Kosovë-Serbi nga duart e burokratëve të Brukselit në duart e vendimarrësve të vërtetë në Bashkimin Evropian.

Zhvlerësimi i Federica Mogherini dhe pasoja mbi Brukselin

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Federica Mogherini, ishte e para që do të priste në takime të ndara liderët e Ballkanit Perëndimor, që kishin mbërritur në Berlin për samitin franko-gjerman.

Ndonëse figura kryesore e BE-së në raport me marrëdhëniet me Ballkanin dhe udhëheqëse e dialogut Kosovë-Serbi, rëndësia që iu kushtua Mogherinit dje ishte e papërfillshme. Takimet e saj me liderët ballkanas zunë një hapësirë të vogël në raportimet e mediave, aq sa prania e saj në Berlin u konsiderua ‘qokë’ e Francës dhe Gjermanisë për burokracinë e Brukselit.

Mogherini nuk e kundërshtoi asnjëherë idenë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, madje e konsideroi një opsion të mundshëm dhe të njëjtën qëndrim ka mbajtur edhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Përfaqësuesi nga Austria nuk ishte ftuar nga autoritetet gjermane për të qenë pjesë e samitit dhe kjo u konsiderua si ‘goditje’ për të, por edhe për shtetin nga vjen, për mbështetjen që i dhanë hapjes së çështjeve të kufijve.

Kufijtë nuk preken

Dhe ishte pikërisht ky vendimi kryesor që u mor në Samitin e Berlinit: Kufijtë Kosovë-Serbi nuk ndryshojnë. Qëndrimi refuzues dhe i vazhdueshëm i Gjermanisë për ndryshuar kufijtë mori edhe mbështetjen e Francës. Ishte Gjermania që e mbylli këtë çështje, e cila u hap (e paqartë se nga kush) me ndihmën e Brukselit.

Për Edita Tahirin, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun me Serbinë, vendimi gjerman për të mos lejuar prekjen e kufijve është një goditje direkte për Hashim Thaçin dhe Edi Ramën, në gabimin historik që ndërmorën.

Boshti Gjermani-Francë. Shqiptarët tani e kuptuan impaktin

Në janar të 2019-ës, Franca dhe Gjermania nënshkruan traktin e ri të miqësisë, i cili është ndërtuar për të sunduar Bashkimin Evropian. Boshti Berlin-Paris udhëheq tani çdo lëvizje strategjike brenda BE-së, i favorizuar nga dalja e Britanisë së Madhe nga unioni, krizat ekonomike dhe politike që kanë mbërthyer Italinë dhe Spanjës, dhe izolimi që po përjeton gjithnjë e më shumë Polonia.

Në Shqipëri dhe Kosovë ky realitet i ri në BE nuk ishte ndjerë dhe kuptuar, deri në samitin e djeshëm. Marrëdhëniet e shqiptarëve me BE-në ishin fokusuar vetëm në aspekte teknike: përmbushje kriteresh, realizim i reformave. Por samiti i Berlinit tregoi se përveç aspektit teknik, Shqipëria dhe Kosova duhet të përgatiten për të luajtur edhe në aspektin politik.

Nëse do të ishte për Brukselin, shkëmbimi i territoreve mund të ishte tanimë fakt i kryer, Shqipërisë do ishin hapur negociatat sepse çështjet teknike thonë se i kemi përmbushur, ndërkohë Kosova do të kishte përfituar liberalizimin e vizave.

Por është boshti Berlin-Paris që ka fjalën e fundit dhe vendimmarrjen politike. Dhe vendimi i parë i marrë prej tyre është mbyllja e çdo diskutimi për kufijtë, ku roli i kancelares Merkel është i pazëvendësueshëm.

Po njohja e pavarësisë së Kosovës?

Haradinaj përmbys rendin e diskutimeve

“Njohja është pika fillestare për progres: nuk është pika përfundimtare.” Ky ishte mesazhi i kryeministrit Ramush Haradinaj në samitin e Berlinit, ku përveç Merkel dhe Macron, ndodheshin edhe kundërshtarët serbë.

Kryeministri kosovar përmbysi për herë të parë rendin e diskutimeve midis Kosovës dhe Serbisë. Nga një dialog për normalizim i marrëdhënieve që do të çojë në një marrëveshje për njohjen, Haradinaj kërkon tani njohje reciproke për t’i hapur rrugë normalizimit të marrëdhënieve.

Ky qëndrim i Ramush Haradinajt duket se ka habitur edhe zyrtarët në Beograd, ku Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm, deklaroi se shqiptarët duhet të kenë dikë të fuqishëm nga mbrapa pasi nuk pranojnë të tërhiqen qoftë edhe nga taksa 100% për produktet serbe.

Ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli shkoi një hap edhe më tej se kryeministri Haradinaj, duke deklaruar se në samitin e radhës në Paris, më 1 korrik, qëllimi kryesor do të jetë njohja reciproke Kosovë-Serbi.

Nëse 1 korriku do të jetë data e njohjes së Kosovës nga Serbia mbetet për t’u parë, ashtu siç mbetet për t’u parë edhe roli që do të luajë tani Hashim Thaçi, i cili në deklaratat nga Berlini u shfaq “i prapambetur” në raport me zhvillimet që po ndërmerren nga kryeministri Haradinaj.

Justifikimi i Hashim Thaçit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbërriti në Berlin vetëm me një qëllim, të justifikohej për planin për ndryshimin e kufijve.

“Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta”, do të shprehej Thaçi, për të kaluar nga ndryshimi i kufijve në demarkim të kufirit.

Ndonëse kërkoi njohjen e Kosovës nga Serbia, Thaçi nuk ndoqi linjën e Haradinajt, i cili dialogun e kërkon pasi të arrihet njohja.

Po Shqipëria ku hyn këtu?

Pjesëmarrja e Shqipërisë në tryezën për Kosovën dhe Serbinë, deri më tani, nuk ka ndryshuar aspak nga roli ‘me ne frego’ që treguan Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Asnjë deklaratë nuk është bërë nga delegacioni shqiptar për zhvillimet në Berlin, sa i përket Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, janë mjaftuar ditë e fundit me një deklaratë se mbështesin çdo vendim të institucione të Kosovës.

Heshtja që tregoi ndaj idesë së ndryshimit të kufijve, i ka kushtuar jo pak kryeministrit shqiptar, i cili tashmë nuk luan asnjë rol në zgjidhjen që kërkohet t’i jepet konfliktit Kosovë-Serbi. Duket se Ramës i është kërkuar të vijojë të qëndrojë në heshtje.

Në fund, do të jetë boshti Berlin-Paris, me kartën e ‘BE’-së në duar, që do të përcaktojë edhe zgjidhjen përfundimtare.

Të fundit