Flash News

KRYESORE

Samiti i Bosnjës/ Ministri boshnjak: Kosova dhe Shqipëria i komplikuan punët duke mos ardhur

Samiti dyditor i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore nisi sot pa pjesëmarrjen e Kosovës dhe të Shqipërisë e kjo ka qenë temë e bisedave të ministrave pjesëmarrës.

Temë kryesore të bisedimeve, ku ka edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, janë gjendja e proceseve të integrimit në BE dhe lidhjet në rajonin e Evropës Juglindore dhe më gjerë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës, Igor Crnadak, tha se mosardhja e përfaqësuesve të Kosovës është një goditje ndaj bashkëpunimit rajonal.

"Kujtoj se nga nëntori ne jemi subjekt i sanksioneve nga Prishtina. Pavarësisht kësaj, kemi dërguar ftesë, kemi shprehur gatishmëri për të qenë pritës të mirë, duke respektuar rregullin numër një, që edhe nëse nuk pajtohemi për diçka, duhet të jemi në tavolinë dhe të kërkojmë zgjidhje. Prishtina mendon ndryshe. Goditje e rëndë për bashkëpunimin në rajon. Shqipëria dhe Kosova i kanë shtuar problemet vetes. Pjesëmarrësit mendojnë se ata duhet të kishin ardhur. Shpresoj që gjëra të kthehen si më parë", tha Crnadak. Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic komentoi vendimin e Prishtinës dhe Tiranës.

“Kushtet e samitit ishin që për secilin delegacionit vendoseshin emra e kryeqyteteve, asnjë flamur, asnjë emër shteti. Samiti është neutral. Serbia pranoi që Kosova të merrte pjesë dhe ata u treguan mirënjohës karshi nesh. Tani kushtet e pjesëmarrjes nuk pranohen më nga ata”, tha Daçiç.

Ai komentoi edhe vendimin e Tiranës dhe Prishtinës në unifikimin dhe koordiminin politikave të jashtme, që përfshin pasjen e ambasadave të përbashkëta.

“Pacolli tha se marrëveshja përfaqëson Kosovën dhe Shqipërinë si një komb. Çfarë tjetër duhet për të kuptuar se Shqipëria e madhe po bëhet? Po sikur Serbia të bënte marrëveshje me Republikën Serbska? A do ishte shkelje e integritetit territorial të Bosnjës”, tha Daçiç.

Në samitin në Sarajevë marrin pjesë përfaqësues të Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Greqisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Rumanisë, Turqisë dhe Sllovenisë.

Të fundit