Flash News

KRYESORE

Sanksionet nga SHBA, Erdogan paralajmëron Trump: Do dëmtosh interesat amerikane; ne mund të gjejmë miq të rinj

Sanksionet nga SHBA, Erdogan paralajmëron Trump: Do dëmtosh interesat

Hapat e njëanshëm të cilët i kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), vetëm se dëmtojnë interesat dhe sigurinë e tyre, shkroi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një artikull të cilin e botoi The New York Times.

“Në kohën kur e keqja vazhdon të rri në përgjim anembanë botës, vendimet e njëanshme të SHBA-ve kundër Turqisë, aleatit tonë disadekadësh, vetëm se do të shërbejnë për të minuar interesin dhe sigurinë amerikane”, shkroi Erdoğan.

Vërejtjet e tij u bënë pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të rritur tarifat për aluminin dhe çelikun turk.

Erdoğan i bëri thirrje Uashingtonit të heqë dorë nga nocioni i gabuar, se marrëdhëniet dypalëshe mund të jenë "asimetrike", dhe të marrë në konsideratë se Turqia ka alternativa, "para se të bëhet tepër vonë".

“Dështimi për të kthyer mbrapa trendin e unilateralizmit dhe mosrespektit, do të na bëjë që të kërkojmë miq dhe aleatë tjerë”, shtoi më tej Erdoğan.

Presidenti i Turqisë, nënvizoi se dy vendet kanë qenë partnerë strategjikë dhe aleatë në NATO për gjashtë dekada, duke i rikujtuar Uashingtonit se Turqia dhe SHBA-ja "gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas saj qëndronin krah për krah njëra tjetrës kundër sfidave të përbashkëta".

“Përgjatë viteve, Turqia nuk ka nguruar të ndihmojë Amerikën kur ka pasur nevojë”, tha Erdoğan, duke përmendur disa nga rastet në fjalë.

“Ushtarët dhe ushtaret tanë derdhën gjakun bashkë në Kore. Në vitin 1962, administrata e Kennedyt, ia doli të detyrojë sovjetikët të largojnë raketat nga Kuba, pasi largoi raketat Jupiter nga Italia dhe Turqia”, shkroi presidenti turk për të shtuar:

“Në kohën e sulmit terrorist të 11 Shtatorit, atëherë kur SHBA-të mbështeteshin në ndihmën e miqve dhe aleatëve të tyre për të sulmuar të keqen, ne dërguam trupa në Afganistan për të ndihmuar misionin e NATO-s atje”, qëndron në opinionin e Erdoğanit të publikuar në prestigjiozen amerikane The New York Times.

Erdoğan thotë se Uashingtoni gjithmonë ka dështuar të kuptojë dhe respektojë shqetësimet që ka populli turk. Ai shkruan se mosmarrëveshjet mes dy vendeve kanë filluar të shfaqen në vitet e fundit, dhe janë të kota përpjekjet e Turqisë për të ndryshuar "trendin e rrezikshëm”.

“Partneriteti jonë mund të rrezikohet, nëse SHBA-të nuk fillojnë së respektuari sovranitetin e Turqisë dhe dëshmojnë se kuptojnë rrezikun me të cilin përballet kombi ynë”, thotë Erdoğan.

Të fundit