Flash News

KRYESORE

"Sapuni 15 lekësh" helmon 11 nxënës në Bulqizë, drejtori i spitalit: Po i mbajmë nën vëzhgim!

"Sapuni 15 lekësh" helmon 11 nxënës në

11 nxënës të klasës së gjashtë në shkollën 'Shefqet Tançi’ në Bulqizë përfunduan në spital pasi u helmuan nga përdorimi i "sapunit 15 lekësh" në orën e lëndës së Artit Pamor.

Drejtori i spitalit të Bulqizës, Hazis Jella, i kontaktuar nga Politiko.al bën me dije se fëmijët fatmirësisht pas kujdesit, janë mirë.

"Tani fëmijët janë mirë. Thjesht po i mbajmë në observim", u shpreh doktor Jella. Simptomat e fëmijëve kanë qenë marrje mendësh, vështirësi në frymëmarrje dhe të vjella.

Një burim nga shkolla, bën me dije se kanë qenë në klasë, në orën e Artit Pamor ku fëmijët po mësonin për objektet gjeometrike.

"Kanë hapur nga sapunat e vjetër (15 lekësh). Por sapo kanë hapur paketimin kanë pasur komplikacione", u shpreh burimi duke shtuar më tej se menjëherë janë dërguar drejt spitalit të Bulqizës.

Tashmë një pjesë e fëmijëve pas marrjes së ndihmës janë dërguar në shtëpi, ndërsa një pjesë e tyre janë nën observim.

Kujtojmë që ky nuk është rasti i parë ku në shkollat e Bulqizës ndodhin incidente. Dimrin e kaluar, u helmuan dhjetra nxënës në gjimnazin "Rifat Manjani" në Shupenzë për shkak të vënies në punë për herë të parë të kaldajave. Fatmirësisht, ndonëse gjimnazistët patën shqetësime për disa ditë me radhë, ata nuk patën pasoja të tjera të rënda. /Xhuliana Jakimi-Politiko.al/

Të fundit