Flash News

KRYESORE

“S’bëjmë transport nën 100 kg, e bardha-jeshile, e bardha-jeshile...”, Shqipëria e mbylli 2018-ën nën shenjën e drogës  

Droga dhe trafikimi i saj nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së ka qenë pa dyshim një nga çështjet më të debatuara edhe për këtë vit.

Vendi ynë sërish ka qenë pjesë e hartës së kultivimit të lëndëve narkotike, kryesisht kanabis sativa. Megjithatë, ndryshe nga vitet e shkuara, drogat e forta janë parë si tendenca e re e trafikantëve, duke risjellë në vëmendje refrenin e një prej këngëve të reperit Noizy "S’bëjmë transport nën 100 kg, e bardha-jeshile, e bardha-jeshile...".

Veç hashashit, sivjet ka përbërë lajm kapja e sasisë rekord e kokainës në Durrës në fund të shkurtit, apo zbulimi i laboratorit të heroinës në Has.

Po ashtu, tonelata me drogë janë kapur edhe përtej kufijve, kryesisht në brigjet e Italisë apo në kufi me Greqinë, ndërsa raportet e ndërkombëtarëve e kanë renditur sërish vendin tonë në “listën e zezë”.

Rekordi historik, 613 kg kokainë në Durrës

2018-ta nisi me një lajm që “njollosi” edhe më shumë imazhin e shqiptarëve, pasi mesnatën  e 27 shkurtit zbulohet në një kontenier me banane një sasi prej 613 kg kokaine në Maminas të Durrësit.

Ngarkesa ishte nisur nga Kolumbia, me itinerar Italinë, Maltën e më pas Shqipërinë, ndërsa u faktua menjëherë se droga fshihet në një kamion në pronësi të kompanisë “Arbri Garden”.

Nga ky aksion u arrestuan në flagrancë kamionisti Armando Pezaku , si dhe Donald Lushaj (personat në foto).

Tre muaj më vonë, u arrestua në Dysedorf të Gjermanisë edhe Arbër Çekaj, i cilësuar si  “peshku i madh” i këtij operacioni.

Kjo është sasia rekord e kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe kishte vlerë tregu 180 milionë euro.

 

Laboratori i heroinës

Këtë vit, për herë të parë u zbulua një nga laboratorët më të mëdhenj të drogës në Shqipëri.

Në skajin verilindor të vendit, në fshatin Brenog të Hasit, shtëpia e familjes Shuti ishte përshtatur në një laborator heroine nga biznesmeni nga Tirana Admir Hoxha, i njohur si pronar i një hoteli në Rinas.

Ky aksion i shtoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda një dosje voluminoze, në të cilën janë përfshirë katër grupe të njohura të trafikut të drogës në Shqipëri.

Skema e publikuar në media sqaron se grupi i Shijakut ishte ai që do ta blinte, përmes Saimir Gjepalit dhe Hekuran Hoxhës.

Ky grup merrej më pas me shpërndarjen e saj edhe te tre grupe të tjera në Sarandë, Fier dhe Lezhë. Po ashtu, edhe jashtë kufijve, kryesisht Gjermani, Angli, Holandë, Itali etj.

Nga operacioni VOL-VO4” përfunduan në pranga 27 persona dhe u lëshuan 44 urdhër-arreste,  mes tyre ende në kërkim biznesmenin Admir Hoxha, së bashku dy shtetasit turq Kander Saleh dhe Nedjet Cesuroglu dhe një kosovar Xhemal Sala, pasi akuzohen se sillnin në Shqipëri lëndën e parë për prodhimin e kokainës dhe heroinës dhe për të prodhuar drogat e forta.

Gjatë operacionit u gjet 100 kg heroinë dhe lëndë të tjera që shërbejnë për prodhimin e saj.

 

Tonelata hashashi “Made in Albania” në Itali e Greqi

Tonelata me hashash, kryesisht përmes detit janë sekuestruar nga policia homologe në Itali e Greqi.

Bëhet fjalë për ngarkesa të mëdha me drogë të prodhuar dhe të dalë nga Shqipëria dhe që kishin më tej destinacion tregun europian e më gjerë.

Nga aksionet e deritanishme në Greqi, e sidomos në Itali, janë kapur mbi 30 ton lëndë narkotike, më së shumti kanabis sativa.

Transporti me gomone ka qenë sërish alternativa “e preferuar” e trafikantëve, të cilët në shumë raste kanë rënë në “rrjetën” e karabinierëve italianë.

Kështu, më 26 janar, u kapën rreth 800 kg hashash, armë e municione dhe 32 mijë euro. GDF pikasi një gomone të mbushur me drogë që vinte nga Shqipëria. Nga ky aksion u kapën dy skafistët K.B. 52 vjeç dhe B.A. 39 vjeç nga Vlora.

Në korrik, një sasi droge me vlerë 10 milionë euro është sekuestruar në brigjet e Salentos. Tre trafikantët të maskuar si turistë kishin fshehur në skaf një sasi prej 1 ton drogë, e cila ishte nisur nga Qeparoja.

Më 25 gusht, një operacion i madh i Guardia di Finanza në Adriatikun Jugor ka çuar në sekuestrimin e 535 kg drogë dhe arrestimin e dy shqiptarëve.

Në brigjet e Brindisit u lokalizua një gomone, në bordin e së cilës u gjetën 26 pako me lëndë narkotike, marijuanë.  Në pranga ranë skafistët shqiptarë, G.D., 46 vjeç dhe S.V., 38 vjeç të dy nga Vlora.

Më 15 shtator kapet një gomone e gjatë me mbi 1700 kg marijuanë të trafikuar nga dy skafistë shqiptarë në brigjet italiane. Droga do të kapte në treg një fitim prej 15 milionë eurosh.

Më 12 tetor një tjetër gomone me drogë nga Shqipëria u sekuestrua nga roja bregdetare italiane. Në mjetin lundrues u kapën rreth 300 kg drogë me një vlerë përfitimi tregu mbi 3 milionë euro dhe në pranga përfunduan 2 skafistë shqiptarë.

24 orë më parë një tjetër gomone me 354 kg marijuanë e trafikuar nga Shqipëria u kap në Adriatik nga roja bregdetare italiane e në pranga u vu një skafist italian me banim në Lecce.

Më 1 dhjetor kapet një gomone rreth 15 metra e gjatë, me 1.5 ton marijuanë, që dyshohet se vinte nga Shqipëria, në bregun Torre Cane në Itali.

Në pranga përfunduan dy të rinj nga Brindizi, vlera e së cilës po të shitej do të arrinte në 14 milionë euro.

“Rruga e përditshme e trafikantëve”, raportet ndërkombëtare për Shqipërinë

Raportet ndërkombëtare e kanë renditur Shqipërinë edhe këtë vit në vendet prioritare të trafikimit të lëndëve narkotike.

‘The Ekonomist’, një nga mediat më prestigjioze ka publikuar një video-reportazh për vendet që konsumojnë më shumë lëndë narkotike në botë.

Të titulluar “Pse kartelet e drogës po fitojnë”, në këtë material përmendet edhe Shqipëria, të cilën e rendit si vendin e parë në botë për konsumimin e kokainës, në raport me popullsinë.

“Lufta me kartelet e drogës po na çon në një krizë të re. 320 bilionë dollarë ilegalë grumbullohen në vit nga droga. Janë 18 milionë njerëz në botë që konsumojnë kokainë. Britania, Australia, Spanja dhe SHBA janë konsumuesit më të mëdhenj në botë të kokainës. Por në raport me popullsinë, Shqipëria mban vendin e parë, me 2.5 %. Kjo pasi Shqipëria është një vend tranzit për kokainën afgane”, thuhet në raportin e ‘The Ekonomist’.

https://politiko.al/the-ekonomist-publikon-raportin-per-kartelet-e-droges-rendit-shqiperine-te-paren-ne-bote-vend-tranzit-per-kokainen-afgane/

Sipas Agjencisë Inteligjente Amerikane, vendi ynë vijon të ketë probleme me kontrabandën e narkotikëve. Për CIA-n, Shqipëria konsiderohet akoma si një vend kyç i prodhimit dhe trafikimit të kanabisit si dhe një pikë aktive për tranzitin e drogërave.

 

UNODC, Shqipëria në hartën e heroinës, rruga e “përditshme” e trafikantëve

Në muajin qershor, UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet) e përfshin sërish Shqipërinë në raportin e botëror të drogave.

Në hartën globale, Shqipëria është e përfshirë në rrugën e trafikimit të heroinës nga Azia, me origjinë nga Afganistani, që kalon përmes Turqisë dhe më pas i drejtohen Europës Perëndimor.

Po ashtu, Shqipëria është e përfshirë në rrugën e trafikimit të heroinës nga Azia, me origjinë nga Afganistani, që kalon përmes Turqisë dhe më pas i drejtohen Europës Perëndimore.

https://politiko.al/del-raporti-boteror-i-drogave-2018-shqiperia-ne-harten-e-heroines-rruga-e-perditshme-e-trafikanteve/

 

Raporti i antidrogës italiane për 2017

Raporti i antidrogës italiane u publikua në mes të këtij viti, ndonëse konkludonte të dhëna mbi trafikimin e narkotikëve gjatë vitit 2017. Sipas këtij raporti, Shqipëria rriti eksportin e lëndëve narkotike me 50 ton më shumë drogë se viti i mëparshëm.

“Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane”: pohimi vjen nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali”, thuhet ndër të tjera në raportin vjetor në lidhje me vitin 2017.

https://politiko.al/raporti-i-antidroges-italiane-shqiperia-e-rriti-eksportin-e-kanabisit-me-50-ton-brenda-nje-viti/

Të fundit