Flash News

KRYESORE

S'dorëzoi mandatin, paralajmëron Rudina Hajdari: Situata mund të agravojë, politika e vjetër është e papranueshme

Deputetja e PD, Rudina Hajdari, një nga tre deputetët e opozitës që nuk dorëzuan mandatin, ka kritikuar palët politike se modeli i vjetër që ata ndjekin, nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë.

Pas takimit që zhvilloi sot me ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Sussane Shutz, Hajdari kritikon sërish veprimin e opozitës për djegien në bllok të mandateve, ndërsa paralajmëron se situata mund të agravojë kur aktorët nuk vlerësojnë siç duhet rrethanat.

Statusi i plotë:

Takim me Ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Znj. Sussane SHÜTZ.

Diskutuam për situatën e vështirë dhe shumë delikate në të cilën ndodhet vendi dhe institucionet Shqiptare aktualisht.

Miqtë tanë Evropianë dhe Gjermanë janë tepër të shqetësuar për krizën politiko-institucionale në vend ashtu sikurse është i shqetësuar çdo qytetar Shqiptar.

BE kërkon me të drejtë përgjegjshmëri të lartë dhe integritet nga politikanët Shqiptare, nga qeveria dhe opozita.

Është e papranueshme që politika në tërësi të vazhdojë me modelin e vjetër që nuk përfaqëson aspak qytetarët Shqiptarë, aspiratat, qëllimet dhe vlerat e tyre. Dorëzimi në bllok i mandateve nga ana e opozitës nuk është zgjidhje ashtu siç nuk është aspak zgjidhje arroganca qeveritare.

Sjellja e politikës Shqiptare sot është modeli më i keq i mundshëm që po i ofrojmë qytetarëve Shqiptarë dhe sidomos të rinjve.

Nuk mund të rrimë duar-kryq dhe të presim që ky ngërç i paprecedent politiko-institucional të zgjidhet vetë. Situata mund të agravojë kur aktorët nuk vlerësojnë siç duhet rrethanat. Të gjithë aktorët kanë detyrimin që të reagojnë sa më parë për të orientuar një zgjidhje politike të gjithëpranueshme për krizën e paprecedentë në cilën gjendet sot Shqipëria, për një zgjidhje që siguron në radhë të parë interesin qytetar dhe kombëtar, pa ceduar demokracinë me qëllim që të ndikojmë pozitivisht të ardhmen e Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në BE.

Të fundit