Flash News

KRYESORE

Seanca për ‘Babalen’/ Avokati i Fredi Alizotit: Klienti im ka të njëjtin qëndrim. Gjata: Përgjimet kthehen kundër akuzës

Seanca për ‘Babalen’/ Avokati i Fredi Alizotit: Klienti im ka

Është zhvilluar sot seanca e radhës për dosjen ‘Babale’, ku trupi gjykues ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Alizotin dhe “detyrim paraqitje” për gazetarin Jetmir Olldashi.

Jashtë ambienteve të gjykatës, avokati i Alizotit deklaroi se klienti i tij ka mbajtur të njëjtin qëndrim për këtë çështje.

“Qëndrimi i klientit tim është i njëjtë nga fillimi deri në fund. Ngjarjet nuk janë statike, por të zhvilluara në kohë dhe hapësirë. Në përfundim do njihemi me dosjen e plotë dhe do të shohim cila është e vërteta”, deklaroi avokati.

Gazetarët këmbëngulën të mësojnë nëse Alizoti ka ndryshuar qëndrim sa i përket rolit të tij në çështjen ‘Babale’, pas publikimit të një video të dytë nga PD, ku ai pranonte presionet nga drejtuesit e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, Çlirim Gjata, avokat i gazetarit Olldashi, deklaroi se “përgjimet e realizuara (për ‘Babalen’) janë të gjitha kundër organit të akuzës.”

“Përfundimisht i gjithë ky proces është i montuar nga Prokuroria”, deklaroi Gjata, duke lëshuar akuza të forta edhe ndaj gjykatës, të cilën e konsideroi si zyrë noterie.

Fredi Alizoti u përfshi në çështjen ‘Babale’ si person që pretendon se është shtirur si Agron Xhafaj në audio-përgjimin e realizuar nga Albert Veliu. Në audio-përgjim flitej për transportin e një sasie kanabisi drejt Italisë, ku Veliu pretendon se do të merrte ndihmë nga vëllai i ministrit të Brendshëm.

Pretendimet e Veliut janë hedhur poshtë nga ministri Fatmir Xhafaj, ndërkohë që Veliu kundërshton përfshirjen e Fredi Alizotit në këtë histori.

Të fundit