Flash News

KRYESORE

Sekuestruan 700 kg kanabis në Vlorë, policia jep detaje nga operacioni

Sekuestruan 700 kg kanabis në Vlorë, policia jep detaje nga operacioni

Policia e Vlorës ka sekuestruar 700 kg kanabis në Akërni, gati për trafik në Itali.

Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se lënda narkotike ishte e paketuar në 28 pako dhe ishte fshehur në pyllë, ndërkohë që gjatë natës do të transportohej.

Mësohet se lënda narkotike ishte transportuar nga një furgon pa targa i cili më pas ishte braktisur.

Policia pas sekuestrimit të kanabisit ka nisur kërkimet për të identifikuar dhe arrestuar poseduesit, të cilët pasi kanë pikasur policinë janë arratisur. Operacioni është zhvilluar nga policia kufitare dhe ajo e Vlorës në bashkëpunim me Delta Forcë.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen rreth 700 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sattiva në Akërni.

Sekuestrohen dhe 48 bidona me nga 60 litra benzinë, gjithësej 2880 litra.

Gjithashtu në afërsi të lëndës narkotike është gjetur edhe një automjet Furgon, bosh pa ngarkesë.

Në vijim të operacionit ndërkombëtar të nisur ditën e djeshme i cili u finalizua me sukses falë bashkëpunimit me DVKM Vlorë, Delta Forcën, DVP Vlorë dhe Guardia di Financën, ku u sekuestruan rreth 650 kg lëndë narkotike në ujrat ndërkombëtare si dhe u kapën dhe u ndaluan dy shtetas që po e transportonin, operacioni ka vijuar me krehjen e zonës ku dyshohet se është nisur gomonia që u sekuestrua me lëndë narkotike.

Si rezultat i krehjes së zonës nga Delta Forcë, Policia Kufitare Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe GdF u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i sasisë tjetër të lëndës narkotike Cannabis Sattiva gati për tu trafikuar.

Lënda narkotike u gjet pranë ''hidrovorit'' në Akërni, Novoselë, të fshehur në një zonë pyjore, 29 pako të mëdha me peshë 20 deri në 25 kilogramë secila.

Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 48 bidona me benzinë me nga 60 litra secili, si edhe një mjet tip furgon të markës ''Iveko'', bosh.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dy personat e kapur në Itali në operacionine përbashkët, në bashkëpunim me dy persona të tjerë ku për arsye hetimi nuk jepen të dhëna për ta do të trafikonin në Itali edhe këtë sasi lënde narkotike të sekuestruar në Akërni.

Vijon operacioni dhe shkëmbimet intensive të informacioneve me Zyrën Interforcë të Policisë italiane dhe Guardia di Finanza.

Të fundit