Flash News

KRYESORE

Senatori Chris Murphy: Moska nuk do që Ballkani të jetë në BE; SHBA të zgjerohet dramatikisht

Senatori Chris Murphy: Moska nuk do që Ballkani të jetë në

Senatori amerikan Chris Murphy thotë se shtimi i ndikimit rus në Ballkan është një sfidë e re për rajonin, ndërkohë që këto vende kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Në një forum të organizuar në Uashington nga Instituti SAIS dhe Dhoma amerikane e Tregëtisë për marrëdhëniet transatlantike, senatori demokrat kritikoi mungesën e një qëndrimi të qartë amerikan ndaj Rusisë, që duket se po lëkund angazhimin amerikan në Ballkan.

Senatori amerikan Chris Murphy radhiti disa nga përparimet e bëra në rajon, si pranimin e Malit të Zi në aleancën e Natos, bisedimet Greqi-Maqedoni për zgjidhjen e çështjes së emrit, dhe përparimin në dialogun Serbi-Kosovë, si histori suksesi në rajon. Por ai e shikon me shqetësim ndikimin rus në Ballkan, ndërsa vendet e rajonit synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Senatori demokrat kritikoi administratën e presidentit Trump, e cila me qëndrimin e saj jo të qartë ndaj Rusisë, po vë në pikëpyetje angazhimin amerikan në vendet e Ballkanit.

“Ky qëndrim dërgon një mesazh shqetësues për vendet e Ballkanit që kërkojnë t’i shpërtojnë ndikimit rusë. Rusët nuk duan që vendet e Ballkanit të hyjnë në Bashkimin Evropian, ata nuk duan që këto vende të jenë të fuqizuara ekonomikisht. Ata duan që këto vende të jenë nën thundrën e Moskës. ... Presidenti Trump nuk e ka bërë të qartë nëse ne do të qëndrojmë përkrah vendeve që duan të hyjnë në BE apo nëse do ta lemë Rusinë të luaj lojra”.

Senatori Murphey tha se korrupsioni, mbetet një pengesë madhore për të gjitha vendeve të rajonit që mban larg investimet dhe që pengon zhvillimin ekonomik. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të shtojnë angazhimin e tyre në këtë luftë.

"Unë besoj se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjerojnë dramatikisht punën që bëjnë me qeveritë për të çrrënjosur korrupsionin nga ekonomia. Ne shpenzuam pak fonde në Ukrainë për këtë çështje dhe kemi patur sukses të madh. Mendoj se mund të shpenzojmë shumë më tepër fonde, në partneritet me qeveritë në Ballkan për të patur të njëjtin sukses". (Voa)

Të fundit