Flash News

KRYESORE

Serbët angazhojnë Kishën Ortodokse të Malit të Zi. Mitropoliti Radoviç dokument Vuçiçit: Ngrirja e konfliktit me Kosovën, zgjidhja më e mirë

Serbët angazhojnë Kishën Ortodokse të Malit të Zi.

Mitropoliti i kishës ortodokse të Malit të Zi, Amfilohije Radoviç ka paraqitur para bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë një dokument të cilin e ka quajtur “Apel për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”.

Sipas gazetës serbe “Blic”, që edhe e ka publikuar këtë dokument, për të cili thotë se i ngjan një pamfleti politik, aty injorohet dialogu i brendshëm që ka propozuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa Amfilohije beson se konflikti i ngrirë është i vetmi vendim i arsyeshëm.

Sipas ‘Koha’, Amfilohije këtë dokument e ka prezantuar para bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në një tubim të mbajtur të dielën në kishën e Shën Nikollës në Radoviçe, Lushticë, dhe e ka ndërmend të kërkojë edhe mbështetjen e brendshme të Kishës Ortodokse Serbe për të.

“Me politikë të papërgjegjshme, duke e pranuar EULEX-in, duke e zhvendosur dialogun për Kosovën dhe Metohinë nën kujdesin e BE-së, me nisjen e dialogut teknik dhe me arritjen e marrëveshjeve jokushtetuese të Brukselit, procesi i shkëputjes së Kosovës e Metohisë ka arritur në një moment shqetësues. Ai proces mundet dhe duhet të ndërpritet”, shkruan në dokumentin që Amfilohije e ka quajtur “Apel për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”.

Në dokument theksohet se kërkesat e SHBA-së dhe shteteve të fuqishme të BE-së që Serbia dhe Kosova “të nënshkruajnë një marrëveshje ligjërisht detyruese dhe që Serbia të pajtohet që Kosova të pranohet në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, si dhe çdo ndarje e Kosovës dhe Metohisë, është e papranueshme dhe duhen refuzuar njëherë e përgjithmonë”.

Gazeta shton se një pjesë e madhe e këtij teksti i drejtohet presidentit serb Vuçiç.

Të fundit