Flash News

OP-ED

Serbia ende kujton se udhëheq Jugosllavinë

Serbia ende kujton se udhëheq Jugosllavinë

Nenad Stevoviç/ gazeta “Danas”

Fushata aktuale anti-malazeze është refleksion i pikëllueshëm i mungesës së përgjithshme dhe endjes së Serbisë zyrtare, madje edhe i një pjesë të asaj opozitare, e cila sheh armikun te kushdo që nuk i përulet konceptit dominues të shtetit, besimit, fetar, gjuhës dhe identitetit që është aktual në qarqet politike beogradase.

Vizioni i Serbisë si shtet qytetar është shtyrë mënjanë në favor të koncpetit të mjegullt sipas të cilit nuk merret vesh se çfarë është shteti, çfarë është besimi fetar dhe cila është e vërteta dhe cili lajm i gënjeshtërt dhe gazetari tabloidësh.

Ky vizion, pjesërisht autist i shtetit, manifestohet para së gjithash në mohimin e të drejtave të shteteve fqinjë që të rregullojnë problemet e tyre të brendshme pa përzierje të Beogradit të gjithëditur.

Beogradi ka problemet e tij me Kapitullin 35 dhe kjo është çerdhja e grerëzave në Serbi, e për këtë ligji malazez është i mirëpritur dhe kthen vëmendjen larg realitetit të dhimbshëm të mossuksesit të Marrëveshjes së Brukselit.

Beogradi zyrtar të kujton atë personin që është divorcuar por nuk është në gjendje të vazhdojë jetën më tej. Të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë e kanë gjetur rrugën, identitetin, historinë, traditën dhe trashëgiminë e tyre. Vetëm Serbia endet andej këndej, ndërsa një pjesë e estabilishmentit të saj politik, mohon çdo përparim të pjesëve të tjera të ish-Jugosllavisë dhe këmbëngul të futë shkopinj në rrotat e vendeve që duan të bëhen pjesë e demokracisë perëndimore.

Nevojitet një gjimnastikë e vështirë mendore që të pranohet fantastika e re epike e Ivica Daçiçit për të mbrojtur Manastirin e Cetinjës nga vetë cetinasit dhe nga malazezët etnikë në Mal të Zi dhe në mbarë botën.

Margaritari i fundit i ministrit serb të Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiç është thënia sipas së cilës ai që në Serbi pranon ligjin malazez mbi lirinë e besimit fetar “tradhëton vendin e vet”.

Sikur Serbia është xhamahiri ortodokse e kësisoj në të nuk ka vend për mendime të tjera, konfesione të tjera, agnostikë, ateistë, modernizatorë, sekularistë, filozofë, liberalë, social-demokratë, mbështetës të autonomisë etj.

Kjo shtyrje në tharkun e Millosheviçit të të gjithë qytetarëve të Serbisë, nuk do të kishte kuptim sikur të gjithë ata antarë kolektivë të Partisë Socialistë të Serbisë, por edhe pjesa më e madhe e Serbisë, hedh poshtë idenë e kësaj partie mbi kufijtjë etnikë, që e kanë burimin në shekullin e 19-të.

Ministri Daçiç shkoi deri aty sa bëri thirrje t’u merret shtetësia qytetarëve të Serbisë të kombësisë malazeze që nuk pranojnë të jenë njëfarë agjitatori për interesat e Kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, duke harruar se nuk është ai, dhe as Patriakana e Beogradit, që kanë ndërtuar Manastirin e Cetinjës dhe Kishën ortodokse në Mal të Zi, por janë paraardhësit e emigrantëve malazezë dhe qytetarë e tjerë të Malit të Zi.

Objektet e shenjta në Mal të Zi janë pasuri kombëtare e shtetit të Malit të Zi, qytetarëve të tij dhe civilizimit europian. Nuk janë trashëgimi e dinastisë Daçiç.

Qytetarët e Malit të Zi që deklarohen si serbë nuk janë diasporë e Serbisë, por popullsi autoktone e Malit të Zi. Ligji për lirinë e besimit fetar është çështje e brendshme e Malit të Zi dhe jo çështje e Serbisë dhe e përfaqësuesve të saj politikë.

Malazezët në Serbi janë emigrantë ose pasardhës të emigrantëve nga Mali i Zi. Ata nuk janë marionetë e asnjë qeverie, por respektojnë shtetin në të cilin jetojnë, Kushtetutën dhe ligjet e tij. Janë krenarë edhe për vendin e origjinës Malin e Zi, për pavarësinë e saj, për përkatësinë e tij në vlerat perëndimore civilizuese europiane dhe sukseset e tij në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Malazezët nga Serbia nuk do të përzihen në ngjarjet në Mal të Zi, edhe përkundër fushatës së ashpër të Ministrit Daçiç për tu bërë zagarët e tij politikë, në mënyrë që ai në këmbim të kësaj t’i falenderojë. Malazezët në Serbi mendojnë me kokën e tyre, dhe ky është vetëm tregues i faktit se Serbia ka kapacitete demokratike.

Serbia, në raport me secilën prej ish-republikave jugposllave, duhet të kuptojë se nuk jetojmë në kohën e Karagjorgjes dhe se nuk ekziston një dinasti në Beograd që të komandojë nëpërmjet një dekreti të gjithë fqinjësinë.

Ish-republikat jugosllave kanë patur respekt ndaj Beogradit zyrtar teksa ishte forca modernizuese e kësaj pjese të Europës, por me këtë pozicion u luajt bixhoz në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Mali i Zi vërtetë është vend i vogël, por edhe shtet i fortë që i ka bërë ballë shumë tajfunëve dhe cunameve në historinë e tij. Gabimi më i madh i Beogradit është se era e fortë nga rruga Nemanja në Beograd (në këtë rrugë gjendet ndërtesa e qeverisë serbe. Përkthyesi) mund të jetë në gjendje të fshijë dinjitetin dhe respektin që qytetarët e Malit të Zi dhe emigrantët e tij kanë ndaj këtij shteti.

Mali i Zi dhe Serbia duhet të evoluojnë sa më larg matricave të vjetëruara mbi shtetet vëllezër, drejt një raporti bashkëkohor të shteteve moderne dhe me të drejta të barabarta europiane, që kanë interesat e tyre si dhe të të gjithë shtetet e lindura nga ish Jugosllavia.

Janë shumë interesa të përbashkëta: jeta më e mirë për qytetarët e secilit, përparimi ekonomik, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare dhe të traditave të çdo shteti. Kur të zhduket qëndrimi paternalist i Beogradit ndaj fqinjëve do të zhduket edhe ngarkesa në raportet në mbarë rajonin.

Ajo që të jep një rreze optimizmi është së në strukturat e pushtetit në Beograd për herë të parë ishte e mundur të dëgjoheshin tone disonantë dhe se disa qarqe po bëhen të vetëdijshëm se Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtete të pavarura që nuk mund të funksionojnë  sipas sistemit të enëve komunkikuese.

Nëse këto shenja janë të sakta, dhe ndodh ajo lëvizja që duhet nga ana e Beogradit, atëherë kjo do të jetë tregues mbi fillimin e evolucioni politik demokratik në Serbi.

*Autori është politikolog, publicist dhe studiues i diasporës malazeze.

**Përktheu për Politiko: Xhelal Fejza

Të fundit