Flash News

KRYESORE

Serbia nuk ka pranuar të shfuqizojë urdhër-arrestin për Ramush Haradinajn

Serbia nuk ka pranuar të shfuqizojë urdhër-arrestin për

Pavarësisht se Gjykata franceze e Kolmarit refuzoi që ta ekstradonte kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn drejt Serbisë, Beogradi duket se nuk është dorëzuar, pasi urdhër-arresti ndaj ish-komandantit të UÇK-së vijon të mbetet në fuqi.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të lartë të gjyqësorit serb për të cilët për mediat vendase thanë se po punohet ende për çështjen e Haradinajt.

Gjithmonë duke ju referuar këtyre burimeve, prokurorët po vijojnë punën për dosjen e ish-Kryeministrit të Kosovës.

Në këtë mënyrë, situata mbetet e ndërlikuar, pasi urdhër-arrestet mund të figurojnë në sistemet e shteteve të tjera europiane të cilat kanë marrëveshje ekstradimi me Serbinë.

Gjykata franceze e Kolmarit vendosi që të mos e ekstradonte Ramush Haradinajn drejt Serbisë, ndonëse pas një proçesi gjyqësor relativisht të tejzgjatur, ku vendimi u mor pas katër seancave.

Beogradi pretendon se ish-komandanti i UÇK-së ka kryer krime ndaj popullsisë serbe dhe rome në Kosovë, akuzë që hidhet poshtë nga pala kosovare.

Lirimi nga Gjykata e Kolmarit shënoi fitoren e dytë të Haradinajt përballë drejtësisë, pasi lideri i AAK-së është shpallur më herët i pafajshëm edhe nga Tribunali i Hagës për Gjykimin e Krimeve të luftës së ish-Jugosllavisë.

 

Të fundit