Flash News

KRYESORE

Serena Leka, një shqiptare që trajnon ekselentët nga Kolumbia deri në Kore

Quhet Serena Leka, nuk ka mbushur ende 24-vjeçe, ka udhëtuar në 15 shtete të botës, ka qenë senator klase, presidente e shkollës, kryetare e aktiviteteve jashtëshkollore.

Prisni, mbani frymën se ka akoma…

Po ashtu, Serena ka qenë drejtoreshë ekzekutive e rrjetit të studentëve ekselentë të Tiranës. Dhe është e vetmja studente shqiptare që ka fituar një bursë prej 50.000 euro nga mbretëria daneze dhe aktualisht është pjesë e grupit bërthamë të studentëve ekselentë nga mbarë bota.

Serena Leka, vajza nga Fushë – Arrëzi që në fillore e cilësonin “nerd”, arriti të mposhtë paragjykimet e të qenit nga veriu (filloren e kreu tek “Skënder Luarasi” dhe “Shkolla e Kuqe”, në Tiranë) dhe shkëlqeu në mësime. Tani ajo është gjithmonë në gjueti të mundësive për të udhëtuar, por çdo herë me projekte.

Me vetëm një 9-të gjatë gjithë viteve të gjimnazit, me mesatare 9.2 në fund të ciklit të studimeve për Financë e Kontabilitet në Fakultetin e Ekonomisë në UT, me 10 në temën e diplomës, Serena nuk ka gjithmonë gati një pyetje, përgjigje apo koment në sallën e leksionit, por ajo ka gjithmonë edhe një batutë, barcaletë apo shaka në xhep.

Aktualisht po përmbyll temën e diplomës pranë universitetit të Aarhus-it. Dhe sigurisht edhe në këtë pikë Serena ka një mal me plane dhe është shumë ambicizoe në atë që do të arrijë. “Temën e diplomës po e shkruaj në bashkëpunim me një nga firmat më të fuqishme për industrinë inxhinierike, me më shumë se 25.000 punonjës në mbi 100 shtete në bote, Danfoss A/S. Unë po vlëresoj për ta mundësitë e krijimit të një fushe biznesi në Sistemet e Dedektimit të Rrjedhjes së Ujit për ndërtesa e banesa. Po ashtu, kam më shumë se 1 vit si menaxhere e rajonit për organizatën më të madhe e më të vjetër të Sipërmarrjeve të vogla që vijnë nga studentë të universiteteve. Kam një ekip me 10 studentë, ndër to dhe një studente tjetër Shqiptare – Besjana Sholla, me të cilët trajnojmë, zhvillojmë e përgatisim startups për të qenë gati në kompeticione apo për t’u rritur në treg. Së fundmi, jam pjesë e grupit bërthamë të Global Citizenship Youth Netëork, ku punojmë mbi parimet e UN Sustainable Goals 2030 dhe financohemi nga APCEIU. Brenda 1 jave do jem sërish në një event në Korenë e Jugut, ku shërbej si facilitatore dhe trajnere për procese advokimi e lobimi”, – thotë Serena.

CV-së së saj të gjatë, së fundmi ajo i ka “shtuar”, siç edhe thotë vetë me shaka, një foto me princin e danimarkës. “Princi i Danimarkës, Joachim ishte i ftuar në konferencën përmbyllëse të rrjetit të studentëve ndërkombëtare të talentuar në Danimarkë. Unë pata mundësinë t’i bëja një pyetje. Me të qeshur, bëra dhe një foto me të, duke i thënë që kisha vënë bast që do mund të kisha një foto me të”, –thotë me të qeshur Serena për Citizens Channel.

E kur e pyesin nëse ka shpresë ajo na përgjigjet me një batutë të fëmijërisë. “Kur ishim të vogla me kushurirat në Fushë-Arrëz, bënim shaka dhe thonim “Shpresa jeton tek kati I-rë”. D.m,th. ka shpresë. Ajo është më e sigurtë dhe e afërt nëse të rinjtë u qëndrojnë besimeve të tyre dhe principeve bazë”, – e mbyll rrëfimin e saj interesant Serena.

Të fundit