Flash News

KRYESORE

Shahini uron nisjen e vitit të ri shkollor: Nëse duhet të mbyllim ndonjë klasë apo shkollë për shkak të COVID-it, hyn në zbatim plani B

Shahini uron nisjen e vitit të ri shkollor: Nëse duhet të mbyllim

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka vijuar apelin e saj për kujdes maksimal drejtuar nxënësve një ditë para nisjes së mësimit. Përmes një video-mesazhi, Shahini ka uruar nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor 2020-2021, duke kërkuar edhe njëherë respektimin e masave të sigurisë për një fillim sa më të mbarë të tij.

Ministrja e Arsimit sqaron se edhe në raste ekstreme, ku do të nevojitet mbyllja e ndonjë klase apo shkolle për shkak të numrit të të infektuarve, nxënësit nuk do të mbeten pa mësim. Sipas Shahinit, në një situatë të tillë “do të vijohet me planin B, që është kanali "RTSH Shkollë", ku i kemi të xhiruara të gjitha leksionet që do t'i zhvilloni edhe në shkollë me mësuesit tuaj, dhe kemi edhe platformën online që do të shërbejë për mësim në kushte shtëpie".

Për Shahinin respektimi i protokollit të sigurisë është mënyra e vetme për minimizimin e përhapjes së koronavirusit në institucionet arsimore, në mënyrë që të qëndrojmë sa më gjatë në shkollë.

"Nxënës të dashur! Nesër do të uleni në bankat e shkollës përsëri për të filluar vitin e ri shkollor 2020-2021. Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për ju, ndaj jemi përkujdesur me stafet e shkollave, mësuesit tuaj, drejtorët e shkollave, si dhe të gjithë institucionet përgjegjëse për të siguruar një fillim sa më të mbarë për vitin e ri shkollor. E di që do e keni shumë të vështirë të ndiqni protokollet e sigurisë së shëndetit që kemi vendosur në shkollat tuaja, por kjo është e domosdoshme në mënyrë që të minimizojmë përhapjen e koronavirusit në shkollë, i cili është ende mes nesh, dhe në mënyrë që të qëndrojmë sa më gjatë në shkollë".

Në fund, duke sjellë në vëmendje se në ambientet e brendshme të shkollës janë të afishuara edhe rregullat për t'u ndjekur gjatë mësimit e qëndrimit në shkollë, Ministrja Shahini uron shumë suksese e mbarësi në vitin e ri shkollor 2020-2021.

Të fundit