Flash News

OP-ED

Shahu i Ramës me ‘opozitën e re’; nga turpërimi te shndërrimi në KÇK

Shahu i Ramës me ‘opozitën e re’; nga turpërimi te

Alfred Lela

Edi Ramës i pëlqen të thotë se politika është shah, dhe jo damë. Me miratimin e Kodit të ri zgjedhor, edhe nëse nuk ka qartësuar se cilët janë lojtarët e shahut, ata të damës i ka ndarë më vete si delet e kurban Bajramit.

Mund ta imagjonosh Rudina Hajdarin, Myslim Murrizin, Ralf Gjonin, Halit Valterin e të tjerë, luftëtarë të paepur të listave të hapura, dhe besimtarë të panginjur te Rama që do e hidhte këtë hap, tek ‘luajnë damë’ nën hijen e kumbullave pas Kuvendit të Shqipërisë.

Kryeministri ka ikur ndërkohë për të zgjidhur një remi me kundërshtarët e tij të vërtetë, opozitën jashtëparlamentare. Sigurisht, Rama është treguar i pandershëm apo ‘besëprerë’ në terma etikë dhe moralë, por në rrafsh politik ai ka fituar. E ka mbajtur peizazhin elektoral në ngjyrat që ka dashur, ka shmangur bezdinë e një pjese të opozitës parlamentare dhe ka themeluar një detantë të re me opozitën jashtë sistemit.

Për Murrizin, Hajdarin e të tjerët, mund të themi, megjithatë, se bënë një luftë kryeneçe dhe kundër të gjitha gjasave, dhe për këtë meritojnë respektin përkatës. Të tjerët, një pjesë që votuan kundra, me gjasë për hatër të Partisë Demokratike, mund të thuhet se u treguan të ndershëm në mënyrën e tyre.

‘Opozitarët’ që bashkuan votat me Ramën nuk duhen parë si gjë e re dhe e habitshme. Sa herë kemi parë kapëcime të tilla, paketuar trashë si byreku me presh i shërbimit ndaj Shqipërisë dhe integrimit. Deputetë e pro-së së Kodit kanë heshtur në shumicë dhe këtu kanë bërë mirë. Edhe përfitimet edhe ‘morali i lartë’ do ishin shumë për t’u kapërdirë.

Në fund është Rama, që e hodhi në erë opozitën parlamentare. Deri në prill ata do të sillen kuturu në hapësirën politike në kërkim të një kornize të re ku mund të fusin portretin.

Paradoksi brilant mbetet aty kokëfortë si një minotaur. Ata që ia mbushën Parlamentin duke i legjitimuar sistemin, morën në këmbim nga Rama delegjitimimin final. Deri në fund të legjislaturës, aty nga fillimi i verës, grupet e fragmentuara të ‘opozitës parlamentare’ do të shndërrohen në një bandë Kap Ça të Kapësh.

Të fundit