Flash News

KRYESORE

SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë një qëndrim për paketën “Anti KÇK, sepse nuk i njohin detajet

SHBA-ja dhe BE-ja nuk kanë një qëndrim për paketën

SHBA-ja dhe BE-ja ende nuk kanë një qëndrim për paketën e re ligjore të quajtur “Anti KÇK”, që sipas qeverisë shqiptare synon forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizimit dhe krimeve të tjera të rënda, pasi nuk e kanë parë me imtësi.

Para dy javësh, më 13 janar, duke bërë të ditur planet për hartimin e pritshëm të kësaj pakete, kryeministri Edi Rama tha se për këtë paketë po konsultohen edhe me dy partnerët, SHBA dhe BE.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Tiranë i pyetur nga “Zëri i Amerikës” për një vlerësim, tha: “Nuk kemi pasur mundësi që ta studiojmë variantin më të fundit të legjislacionit “Anti-KCK”. Presim që të kuptojmë detajet. E vlerësojmë shprehjen nga Kryeministri të vendosmërisë dhe vullnetit politik për të luftuar murtajën e krimit të organizuar”.

Edhe zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, duket se nuk është e informuar për paketën ligjore të miratuar sot. “Delegacioni i Bashkimit Evropian nuk e ka parë aktin normative të miratuar sot dhe nuk mund të bëjë komente në këtë moment”, i tha përfaqësia e BE-së Zërit të Amerikës.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi se objekt i paketës ligjore janë edhe gjithë personat e akuzuar për krime të rënda, përfshirje në krim të organizuar dhe terrorizëm, por që nuk janë dënuar për shkak të korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Nga opozita, ka skepticizëm për këtë paketë ligjore, që e quan një nismë propagandistike.

Të fundit