“Shefqet Ndroqi” gati të rikthehet në spital COVID-2, numri në rritje i viktimave dhe të infektuarve detyron rihapjen

Nga dita e nesërme nis puna për rihapjen e spitalit COVID-2, “Shefqet Ndroqi”. Një vendim i tillë është marrë nga Ministria e Shëndetësisë pas numrit në rritje të të infektuarve nga koronavirus.

Numri i madh i shtrimeve, rritja e viktimave si dhe rastet në rritje të të infektuarve në moshë të re (nën 50 vjeç) që shtrohen me komplikacione, janë 3 arsyet që po çojnë në këtë zgjidhje.

Spitali “Shefqet Ndroqi” i njohur ndryshe dhe si Sanatoriumi u bë spital COVID-2 por me rënien e numrit të personave të infektuar me koroanvirus u rikthye ne funksionet e tij.

Me rihapjen e tij për shtrimin e të infektuarve me Covid-19, pacientët që janë aktualisht aty mendohet se do të transportohen tek ish-ambientet e kirurgjisë në QSUT për të cilat shteti investoi për t’i kthyer në spital COVID-3.

Kujtojmë se, aktualisht tek Infektivi- që është aktualisht edhe i vetmi spital COVID për momentin- janë të shtruar 72 pacientë, 8 janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë. Infektivi ka një kapacitet prej 120 shtretërish, por fluksi në rritje është bërë shqetësues, duke çuar në marrjen e masave paraprake.

Nëse sërish do të kemi numra të lartë shtrimesh, atëherë në skenar është spitali COVID-3, që është ish-Kirurgjia në QSUT, ç’ka do të sillte zhvendosen në një tjetër strukturë të pacientëve të Sanatoriumit dhe COVID-4 tek godina e ish-universitetit privat në autostradë.