Flash News

KRYESORE

Shembja e Teatrit Kombëtar, tre deputetë të PE i drejtohen Komisionit Europian: A jeni në dijeni si u arrestuan protestuesit?

Shembja e Teatrit Kombëtar, tre deputetë të PE i drejtohen

Tre deputetë të Parlamentit Europian i janë drejtuar Komisionit Europian me disa pyetje në lidhje me shembjen e goditës së Teatrit Kombëtar.

Lidia Pereira (EPP), Maria da Graça Carvalho (EPP), Claudia Monteiro de Aguiar (EPP), eurodeputetë të grupimit parlamentar të Partisë Popullore Europiane i kanë parashtruar KE-së dy pyetje, ku theksojnë nëse kishin dijeni mbi arrestimet e protestuesve për Teatrin si dhe për impaktin që ky veprim ka mbi politikën e fqinjësisë shqiptare dhe hapjen e negociatave.

Në reagim eurodeputetët theksojnë se vendimi u pasua me dhunim të lirisë së e shprehjes, duke përmendur arrestimin e figurave publike si aktivistë e gazetarë dhe duke pyetur KE nëse kanë dijeni për mënyrën si u arrestuan protestuesit.

Bashkimi Europian ka një politikë fqinjësie të rrënjosur në bashkëpunimin politik, mbështetjen për zhvillimin ekonomik e social dhe mbrojtjen e vlerave që përkufizojnë projektin europian. Siç u pa edhe tek samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor në 6 Maj (e cila rezultoi në një paketë ndihme prej 3 miliard eurosh), afrimiteti mes BE dhe Ballkanit Perëndimor është një shembull shumë i mirë i kësaj politike, e cila përfshin 6 vende kandidate bashkë me Shqipërinë.

Në 17 Maj, autoritetet shqiptare shkatërruan Teatrin Kombëtar në Tiranë, një ndërtesë e vlerësuar nga Europa Nostra si një prej shtatë monumenteve më të rrezikuara në Europë. Shembja e ndërtesës u dënua nga Presidenti i Shqipërisë dhe nga shumë institucione shqiptare dhe europiane. Forcat shqiptare të sigurisë arrestuan me dhjetëra protestues, gjatë shembjes, përfshirë këtu edhe figura politike, gazetarë dhe aktivistë. Liria e shprehjes është një prej shtyllave të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Këto liri janë dhunuar.

A mund të përgjigjet Komisioni Europian për:

1 – A është Komisioni në dijeni për mënyrën se si janë arrestuar protestuesit?

2 – Çfarë impakti pret Komisioni që të ketë ky veprim mbi politikën e fqinjësisë shqiptare dhe hapjen e negociatave?”, thuhet në reagimin e 3 eurodeputetëve.

Më herët, Komisioni Europian reagoi për shembjen e teatrit, përmes zëdhënëses Ana Pisonero. Në reagimin zyrtar, Pisonero shprehu zhgënjim për vendimin dhe përsëriti thirrjet për vetëpërmbajtje.

Reagim të ashpër pati edhe nga presidenti i Partive Popullore Europiane, Donald Tusk, që e quajti shembjen e teatrit kundër çdo vlere europiane.

Kujtojmë se gjatë protestës kundër vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar në 17 maj, policia shoqëroi dhunshëm edhe gazetarin Alfred Lela.

Të fundit