Flash News

KRYESORE

“Shembja e teatrit në kohë pandemie”, Der Standard: Rama si Vuçiç, famëkeq për sjellje autokratike

“Shembja e teatrit në kohë pandemie”, Der Standard: Rama

Media e njohur gjermane, ‘Der Standard’ e ka cilësuar një lëvizje me tipare autokratike vendimin e qeverisë Rama për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në kohë pandemie.

Madje, për këtë ngjarje, Rama krahasohet me presidentin serb, Vuçiç mbi procedurën e ndjekur për shembjen e teatrit, pas më shumë se dy vitesh rezistencë kundër projektit të qeverisë.

“Qeveria socialiste shqiptare e drejtuar nga Edi Rama tregon gjithnjë e më shumë tipare autokratike.

Makineritë e rënda që rrëzuan muret e teatrit erdhën natën, duke aguar e diela. Pas dy vjet konflikti, Teatri Kombëtar Shqiptar në Tiranë u rrëzua brenda natës. Kryeministri socialist Edi Rama triumfon. Njeriu që dikur pëlqente të paraqitej në qarqe artistësh, kishte shumë vite që bunet fushatë për shembjen e teatrit të vjetër dhe ngritjen e një ndërtese të re.

Partia e opozitës PD ka qenë aktive për të instrumentalizuar protestën kundër prishjes në muajt e fundit, gjë që sigurisht e ka shtyrë Ramën edhe më shumë të shkatërrojë teatrin. Policia u përlesh me qindra protestues të Dielën, të cilët kanë dalë në rrugë rregullisht që nga viti 2018 për të ruajtur trashëgiminë kulturore. Disa prej tyre u shoqëruan në komisariat.

Shumë e cilësuan qeverinë Rama si një "diktaturë", të tjerët flisnin për një "bandë mafioze". Megjithatë, pesëmbëdhjetë organizata nënshkruan një deklaratë duke kritikuar rritjen e "dhunës dhe shtypjes së shtetit", veçanërisht në një kohë kur opozita dhe sistemi gjyqësor mungonin.

Një grusht shteti në kohën e Corona

Në fakt, procedura në rastin e Teatrit Kombëtar në Tiranë po rikujton fuqimisht veprimin e ndërmarrë nga autoritetet serbe, të cilët në prill 2016, gjithashtu gjatë natës, shkatërruan disa ndërtesa në rrethin e vjetër Savamala në Beograd.

Njeriu "i fortë" i Serbisë, Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe njeriu "i fortë" i Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama, janë gjithashtu famëkeq në fusha të tjera për sjelljen e tyre autokratike në rajon. Dhe sigurisht që Rama e dinte që gjatë pandemisë, ku zbatohen kufizime të rrepta të daljes, nuk ka ndonjë rezistencë nga popullata - dhe për këtë arsye është më e lehtë për të të zbatuar vullnetin e tij.

Masat shtypëse

Presidenti Ilir Meta, një kundërshtar politik i Ramas, e quajti prishjen "një krim moral". Delegacioni i BE tha - si zakonisht me tone të buta - se duhej të fillonte një dialog përpara se të krijohej një situatë e pakthyeshme.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë shenjë dialogu - përkundrazi, veprimet e qeverisë javët e fundit po kujtojnë kohë shtypëse. Nga Adelheid Ëölfl”, shkruan gazeta gjermane.

Të fundit