Flash News

KRYESORE

Shënim/ Pse Edi Rama kërkon të gjejë kaq shpejt një fajtor? Dhe shembulli ‘keq’ i Erion Veliajt

Shënim/ Pse Edi Rama kërkon të gjejë kaq shpejt një

Pasojat e qeverisjes së tij, tashmë duket se nuk i fsheh dot më as kryeministri Edi Rama, edhe pse kanë kaluar vetëm tetë muaj nga ky mandat i ri qeverisës. Kritikat ndaj vendimeve të tij kanë nisur të artikulohen edhe nga socialistët e administratës që përzgjidhen për të marrë pjesë në aktivitetet ku është i pranishëm edhe kreu i qeverisë.

Dje në Fier, Rama foli, ndër të tjerash, edhe për taksat. Ai u tha të pranishmëve, se qeveria i ka zeruar taksat, por fajin e kaloi te bashkitë që sipas tij kanë rritur tarifat dhe për këtë arsye, biznesi i vogël nuk po e përfiton këtë lehtësim.

Si shembull për këtë Rama solli bashkinë e Tiranës.

“Aspekti tjetër që na ka ndodhur që bashkitë kanë rritur tarifat. Për shembull, nëse një biznes i vogël në Tiranë nuk e ndien zerimin e taksës nga ana jonë, është sepse ka një tarifë më të lartë sot për shërbimet bashkiake, e cila është analizuar dhe është vendosur për të bërë më shumë për Tiranën, gjë që po ndodh, por kjo nuk ka lidhje me rritje taksash kombëtare”, u shpreh Rama dje në Fier.

Por ajo që nuk dihet ka të bëjë me faktin se pse kryeministri Rama kërkon të gjejë një ‘fajtor’ jashtë tij kur dihet që përgjegjësia fiskale është e qeverisë dhe mbi të gjitha kaq shpejt, vetëm tetë muaj pasi ka nisur mandatin e dytë. Rama ‘fajësoi’ kryebashkiakët për faktin pse sipërmarrësit e vegjël nuk e ndjejë zerimin e taksave por ‘harroi’ se pjesa më e madhe e bashkive në vend drejtohet nga njerëzit e propozuar nga ai.

Nga ana tjetër, deklarata e mësipërme e Ramës i hedh edhe më shumë ‘benzinë zjarrit’ sa i takon raporteve të tij me kryebashkiakun, Erion Veliaj. Të enjten, në ‘Real Story’, kryesocialisti refuzoi të përgjigjej nëse do të rikonfirmohet Veliaj për një mandat të dytë në Tiranë ndërkohë që dje kryebashkiakun e kryeqytetit e nxori në ‘tabelën e nderit’ të rritjes së taksave.

Të fundit