Flash News

KRYESORE

Shënim/ Rama foli si ‘kazan’, ministrat folën si Rama

Shënim/ Rama foli si ‘kazan’, ministrat folën si Rama

Socialistët mblodhën dje Asamblenë Kombëtare, ku ajo që tërhoqi më tepër vëmendje ishte fjalimi i Edi Ramës. Në 41 minutat e fjalës së tij, kreu i socialistëve i kushtoi më tepër kohë kritikave ndaj të tijëve duke paralajmëruar edhe ‘prerje kokash’.

Kritikat e djeshme të kryesocialistit dhe njëherësh dhe kreut të qeverisë, nuk ishin risi, risia ishte tek ai i cili po i artikulonte ato kritika.

Por për të mbërritur deri te fjalimi i Ramës, në podium u shfaqën disa prej ministrave të kabinetit qeveritar. Kushdo që ndjek sadopak zhvillimet politike në vend, fjalimet e të përzgjedhurve të Ramës nuk ishin gjë tjetër veçse përsëritja e të njëjtit refren. Suksese imagjinare 6 mujore të cilat më pas i përmbledhin në atë togfjalëshin e njohur tashmë të përsëritur pafundësisht nga deputetë e ministra ‘shumë kemi bërë, po akoma më shumë kemi për të bërë’. Në fakt, ministrat që folën dje në Asamblenë Kombëtare të PS-së, nuk bënë gjë tjetër vetëm thanë ato që ka thënë edhe vetë kryeministri gjatë këtyre muajve. Teksa ishte ky i fundit ai që ‘doli nga rreshti’.

Në fjalën e mbajtur dje në Asamblenë e PS-së, Rama, as më shumë e as më pak, adresoi të njëjtat kritika ndaj qeverisë dhe drejtuesve socialist, të cilat mediat, që ai i quan ‘kazan’ kanë raportuar gjatë gjithë këtyre muajve. Rritjen e taksave për qytetarët, kreu i qeverisë ja adresoi bashkive që kanë rritur tarifat. (prej muajsh mediat e kanë raportuar këtë fakt, përtej asaj kush e ka fajin, bashkia apo qeveria, thelbi është i njëjtë, qytetarët sot paguajnë më shumë). Kryesocialisti foli për punësime partiake, nepotike por edhe arrogancë. Për të gjitha këto, mediat kanë raportuar vazhdimisht dhe prej kohësh, por vetëm tani, ku mesa duket ‘kupa u mbush’ Rama ka vendosur t’i pranojë publikisht./Politiko.al

Të fundit