Flash News

KRYESORE

Shënim/ Rama me timon dhe Veliaj me biçikletë, propaganda maoiste e socialistëve

Kur Mao Tse Dun kalonte lumin e madh Yangtze me not për disa minuta, fotot e tij do të përdoreshin si mjet i madh propagandistik në gazetat e partisë komuniste kineze.

Sot, të frymëzuar nga presidentët amerikanë, apo kryeministrat norvegjezë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, rreken të hiqen si njerëz të thjeshtë, që shkojnë në punë me biçikletë, apo paraqiten me xhupa sportivë (si ai i Juventusit i veshur nga Rama sot), për të dhënë imazhin në popull, se janë porsi ata, si njerëzit e thjeshtë të këtij vendi.

Me dallimin e vetëm, se Rama, për të kapur timonin e peshkarexhës së sot në portin e Durrësit, kishte parkuar vetëm pak metra më larg Mercedesin e tij S-Class, që kushton 120 mijë euro, i shoqëruar nga po aq makina të tjera luksi të eskortës kryeministrore.

Gjithashtu, bashkë me të ishin edhe një ushtri e tërë fotografësh e kamerash, të thirrura posaçërisht nga zyra e tij e shtypit për këtë event.

Gjithashtu, edhe Veliaj, i cili dje kishte parkuar Audin e tij Q7-, te banesa 120 metra katrorë te Kodra e Diellit, dhe Toyota-n, elektrike ndoshta te banesa tjetër me tarracë mbi Pazarin e Ri, të krijonte idenë e djalit të mirë me triko leshi, që shkon në punë me “duar të pastra”.

Por kjo propagandë, i ngjan më shumë asaj të Mao-s, se sa të Obamës, apo kryeministrave Nordikë.

Në fakt, këta të fundit e kanë përditshmërinë e tyre normale shumë më të ngjashme me veprimet e tyre politike në publik, dhe nuk jetojnë në resorte apo të rrethuar nga luksi, e më pas paraqiten si njerëz të popullit.

Vetëm Mao paraqitej si babai i fortë i popullit që gulçonte mbi ujë, ndërkohë që shumica e popullit të tij jetonte në varfëri dhe skamje për dekada të tëra.

Të fundit