Flash News

KRYESORE

Shënohet numri më i lartë i të prekurve me coronavirus në Shqipëri, 46 pacientë në spital

Shënohet numri më i lartë i të prekurve me coronavirus

42 raste të reja janë konfirmuar me coronavirus në Shqipëri gjatë 24 orët e fundit.

Kjo shifër u publikua pak më parë nga ministria e Shëndetësisë, ndërsa pesë prej tyre janë personel mjekësor.

"Sot është dita me numrin më të lartë të rasteve të reja. Në 24 orët e fundit janë kryer 311 testime nga të cilat janë konfirmuar 42 raste pozitive, përkatësisht, 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnje, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Durrës, Berat, Pukë, Shkodër.

Rastet e Krujës janë qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore, ndaj ju bëjmë thirrje edhe njeherë që të shmangni grumbullimet masive në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit.

Ne 24 orët e fundit janë testuar dhe ritestuar 80 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të prekur 5 personel, ndërsa janë shëruar 8 mjekë dhe infermiere.

Vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana.

Aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me Covid19. Është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive, njëri prej tyre në intubim. Ndërsa një pacient ka dalë nga intubimi falë punës së stafit mjekësor të spitalit infektiv.

Lajmi tjetër i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 të prekur nga Covid19 mes të cilëve 8 personel shëndetësor, duke e çuar në 980 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.

Në vendin tonë janë aktualisht 327 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, ku ka transmetime komunitare.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1341 raste", sqaron Marjeta Dervishi, nga Instituti i Shëndetit Publik.

 

Të fundit