Flash News

KRYESORE

Shërbimi i fundit që Armand Duka mund t'i bëjë futbollit shqiptar

Shërbimi i fundit që Armand Duka mund t'i bëjë

Alfred Lela

Çfarë dreqin do Armand Duka që kërkon një mandat të pestë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo do të ishte një pyetje me vend, apo jo? Njeriu që ka konsumuar katër mandate në krye të organizatës që menaxhon futbollin në Shqipëri, i ka vënë syrin një të pesti, i cili nëse e fiton, e çon në 20 vjet kohën në krye të FShF.

Duka bëhet kështu një prej njerëzve më jetëgjatë në krye të institucioneve publike në Shqipëri. Ai i mund thuajse të gjithë politikanët e tranzicionit, guvernatorët e Bankës, kryeprokurorët, ministrat, krerët e gjykatave dhe të institucioneve të tjera, që kanë namin si 'vende pëllumbash'; poste ku merren rroga të mira, farkëtohen lidhje dhe interesa të forta, bëhen ndere dhe ushtrohet influencë.

Berisha që konsiderohet politikani më jetëgjatë i tranzicionit ka qenë në pushet 13 vjet (anipse, ai me cinizëm u thotë kundërshtarëve politikë se ka qenë në pushtet edhe ndërkohë që ishte në opozitë).

Vetëm një njeri ka mbajtur pushtet më shumë se Armand Duka përgjatë tranzicionit, dhe ai është kundërshtari më i rreptë i durrsakut në garën për kreun e FShF. Edi Rama e ka filluar si ministër Kulture në vitin 1998, për t'u bërë më pas kryetar i Bashkisë së Tiranës për 3 mandate dhe aktualisht Kryeministër që prej vitit 2013.

Rasti i Ramës, paradoksalisht, shërben si klemencë (falje) për Dukën. Një njeri që ka mbajtur dhe influencuar pushtet politik dhe administrativ më shumë se akush tjetër në Shqipëri, nuk mund t'ia qortojë pushtetin dhe influencën sportive një tjetri. Do të thotë: Edi Rama, me Bashkim Finon dhe të tijtë, nuk mund të përdorin kundër Armand Dukës argumentin e jetëgjatësisë në karrigen e kreut të Federatës.

Ky argument i hap derën një tjetri. Jo vetëm që Kryeministri është politikani që nuk i është ndarë karriges prej 20 vitesh, por ai në vitin e njëzetë të jetës politike, po akumulon gjithashtu pushtet më shumë se asnjë tjetër përgjatë tranzicionit. Në atë dorë që ka shtrënguar fort fijet e çdo pushteti në vend, Rama kërkon të shtijë edhe institucionin që merret me rregullimin e punëve të sportit më të dashur, Federatës së Futbollit.

Një pyetje po aq legjitime mund të ishte: për çfarë dreqin e do edhe këtë?

Më i rëndësishëm në fakt është argumenti dhe pyetja se çfarë ka bërë Armand Duka gjatë katër mandateve të tij? Si fillim, ka modernizuar një institucion i cili, në kohën kur Duka mori çelësat ishte si çdo ndërmarrje tjetër shtetërore në Shqipërinë e fundviteve '90: i prapambetur, në borxhe, i keqmenaxhuar dhe pa ndikim.

Federata aktuale është kaq shumë e ndryshme nga ajo e asaj kohe, pavarësisht problemeve të pamohueshme. Por, Shqipëria e futbollit është përmirësuar në imazh, në infrastrukturë, në ndikim, në marketing dhe, ç'është më e rëndësishmja, ka mundur që, për të parën herë, të sigurojë finalet e një Europiani, ku bëri një paraqitje dinjitoze. Shqipëria e futbollit ka dalë, me sa duket një herë e përgjithmonë, nga zona e mjerë e vendit të fundit dhe të parafundit në çdo fazë eleminatoresh, dhe është një skuadër që bën të mendohen edhe 'forcat e natyrës' së futbollit europian.

Presidenti i Federatës ka pjesën e tij në këtë përmirësim cilësor dhe sasior.

Me këtë përvojë, Duka ka filozofinë e tij për ekipin kombëtar dhe futbollin. Sigurisht, rreth personit të tij mund të artikulohen kritika të cilat mund të jenë me vend. Megjithatë, përtej asaj që ai ka bërë apo nuk ka bërë, është ajo çka ai mund të bëjë. Pikërisht tani.

Të pengojë një klikë politike dhe private që të shtijë në dorë Federatën e Futbollit. Shpura e Edi Ramës, është gati dhe me oreks të madh që, nëpërmjet Finos me shoqni, të realizojë kapjen e Federatës.

Nëse Duka arrin t'i ndalë të enjten, ky është shërbimi më i madh, më i vyer dhe i fundit që i bën futbollit shqiptar.

Politiko.al

Të fundit