Flash News

KRYESORE

Sherri me Jemin Gjanën dhe përgjimet në mbledhje, anëtarja e PD-së bën kthesën: Ka liri mendimi; PD ka të ardhme të mirë

Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Valbona Mezini ka bërë kthesën në marrdhëniet me kryetarin e partisë, Lulzim Basha, pas sherrit të zhvilluar në një mbledhje të muajit shtator. Mezini rrezikoi një përplasje fizike gjatë asaj mbledhje me anëtarin tjetër të PD, Jemin Gjana, ndërsa një ditë më pas në media u publikuan disa audio-përgjime për të cilat askush nuk pranoi të merrte përgjegjësinë.

Megjithatë, e ftuar në ‘News 24’ për të folur për aksionin e opozitës dhe protestës së 27 janarit, Mezini ka dhënë mesazhin për një bashkëpunim me kryetarin Basha. Ajo u shpreh se në PD ekziston liria e mendimit dhe kjo ka ardhur duke u përmirësuar.

Mezini theksoi se sheh një të ardhme shumë të mirë për PD-në, ndërsa për Bashën nuk bëri asnjë kritikë por tha se ka vend për t’u përmirësuar.

“Do ta quaja një rast që duhet të ishte shmangur(sherri në mbledhje). PD ka lindur si parti progesive dhe kështu e konsideroj qëndrimin tim brenda Kryesisë. Lirshmëria e mendimit në PD ka ekzistuar dhe ka ardhur drejt përmirësimit. PD është një parti e fjalës së lirë. Duhet të mendojmë si të përmirësohemi dhe jo se kush na sabotoi. Shoh një të ardhme shumë të mirë për PD-në. PD-së i duhet ndërveprimi për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë të besueshme. Basha? Njeriu nuk kënaqet asnjëherë. Ajo që do të thosha është se ka vend për t’u përmirësuar”, deklaroi anëtarja e Kryesisë së PD.

Të fundit