Flash News

KRYESORE

Sherri te ‘Krimet e Rënda’, Klodiana Lala: Përplasje midis klaneve të prokurorëve; Arta Marku foli si kryetare partie

Sherri te ‘Krimet e Rënda’, Klodiana Lala: Përplasje midis

Gazetarja e kronikës Klodiana Lala e ftuar në "360 Gradë" ka shpjeguar gjithçka ka ndodhur brenda prokurorisë ditëve të fundit, duke theksuar se përplasja brenda organit të hetimit ka të bëjë më shumë me përplasje midis klaneve.

“Arta Marku vendosi që në krye të prokurorisë së Tiranës të komandonte Elisabeta Imerajn, e cila u detyrua të dorëzonte edhe dosjen "Shullazi" konform ligjit. Në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat kemi të komanduar dhe jo të emëruar. Në shtator, një prokuror solli një raport mjekësor ku thoshte se nuk mund të vinte për 6 muaj. Këtë histori nuk e lidh vetëm me çështjen Shullazi, por e lidh me përplasje dhe klane shumë të forta brenda Prokurorisë. Ishte kjo çështje që shpërtheu. Pse nuk ishin 10 prokurorë, por ishin 9. Drejtuesja e re e Prokurorisë së Krimeve të Rënda vendos që në njërën nga seancat të përfaqësohej nga Besim Hajdarmataj. Ai mbërriti në sallën e gjyqit dhe pranoi të merrte përsipër çështjen. Mbrojtja e kundërshtoi shumë ashpër me pretendimin se Hajdarmataj kishte qenë drejtues kur u arrestua Shullazi. Në mbledhjen e datës 19, debati ishte i diskutimit juridik. Ka pasur një përplasje midis tyre sepse drejtuesja e komanduar nuk ka pranuar diskutimet. 9 prokurorë nuk kanë pranuar të hidhej shorti. Një përplasje të lobeve dhe grupeve të caktuara brenda prokurorisë që nëse nuk je me mua, je kundra meje dhe do të degdisesh në Pogradec, në Has apo edhe në Sarandë. Pasdite mbledhja ka vazhduar deri në konfrontim fizik. Është kërkuar ndërhyrja e Policisë së Shtetit për të shuar sherrin”, tha Lala.

Sa i përket letrës së publikuar nga Arta Marku, gazetarja Lala konsideron të pazakontë duke theksuar se ajo ka humbur kontaktet me prokurorët.

“Prokurorja e Përgjithshme doli me një letër të pazakontë për mua. Mu duk si një kryetare partie. Nuk mundet një prokurore e përgjithshme të flasë me i "dashur populli im". Një kryeprokurore duhet të flasë me stafin e saj. Ajo i drejtohet popullit sepse ka ndërprerë të gjitha komunikimet me prokuroret. Blerim Tominaj, dy ditë më parë është nisur një hetim disiplinor për bojkot dhe jo më larg se pardje ishte përkrah kryeprokurores së krimeve të rënda në konferencë për arrestimin e grupit Bajraj. Ky prokuror ka firmosur urdhër-arrestin për një nga grupet kriminale të vendit”, u shpreh Klodiana Lala.

Të fundit