Flash News

KRYESORE

SHISH shprehet i shqetësuar për rrjedhjen e informacioneve në media, por nuk i mohon ato

SHISH shprehet i shqetësuar për rrjedhjen e informacioneve në

Shërbimi Informativ i Shtetit në një deklaratë për median shprehet i shqetësuar për pasqyrimin në media të informacioneve që u referohen dokumenteve të hartuara nga SHISH.

Ndonëse nuk mohon informacionet e rrjedhur këto ditë në media sa i përket gjyqtarit Selimi, SHISH thekson se ‘nuk ka asnjë koment specifik për autenticitetin e dokumenteve të pretenduar të inteligjencës’.

Kujtojmë që në media u publikua një dokument i SHISH ku rezultonte se Shkëlzen Selimi, anëtar i Gjykatës së Lartë ka ndihmuar një të arrestuar për armëmbajtje pa leje që të dalë brenda pak orësh në gjendje të lirë.

Njoftimi për media i SHISH:

Shërbimi Informativ i Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për rastet e përsëritura të pasqyrimit në media të informacioneve apo të dhënave që pretendohet se u referohen dokumenteve të hartuara nga SHISH-i ndër vite.

SHISH-i i bën me dije opinionit publik se nuk ka asnjë koment specifik për autenticitetin e dokumenteve të pretenduar të inteligjencës. Megjithatë SHISH-i nënvizon me forcë se përdorimi i emrit të Shërbimit dhe referimi për format e metodat e punës së tij, me synimin për të siguruar besueshmëri të shtuar të deklaratave apo akuzave në media dhe opinionin publik, sjellin një cënim të ndjeshëm të aktivitetit të komunitetit të inteligjencës.

Ato rrezikojnë të ndikojnë aftësinë e Shërbimit Informativ për garantimin e sigurisë kombëtare. Shërbimi Informativ i Shtetit vlerëson se çdo shkelje në administrimin e informacionit të klasifikuar, kudo ku ajo ndodh, mund të dëmtojë rëndë punën dhe të ekspozojë punonjësit e Shërbimit përballë rreziqeve të paparashikuara.

Shërbimi Informativ i Shtetit thekson se ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së tij. Në këtë kuadër, SHISH-i mbetet i angazhuar të zbatojë me rreptësi procedurat dhe rregullat ligjore gjatë prodhimit, qarkullimit, administrimit, shfrytëzimit, transportimit, transferimit, arkivimit, shumëfishimit, riprodhimit e asgjësimit të informacionit “sekret shtetëror” të çdo lloji.

SHISH-i sjell në vëmendje se, në bazë të ligjit, është organ informativ dhe nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor, por në funksion të sigurimit kombëtar informon institucionet e larta shtetërore e bashkëpunon me agjenci informative e institucione shtetërore brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë kuadër, SHISH-i do të vazhdojë bashkëpunimin me organet ligjzbatuese, me qëllim mbrojtjen e sigurisë së veprimtarisë së vet, metodave dhe burimeve të informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara.

Të fundit