Flash News

KRYESORE

Shkencëtarët në Zvicër qasje të re për transmetimin e koronavirusit: Fëmijët nën 10 vjeç mund t’i përqafojnë gjyshërit pa merak

Shkencëtarët në Zvicër qasje të re për

Shkencëtarët zviceranë konkludojnë se fëmijët e vegjël, nën moshën 10 vjeç nuk paraqesin rrezik për të infektuar të moshuarit.

Qasja e re dhe ndryshimi i këshillave të deritanishme erdhi pasi shkencëtarët zviceranë arritën në përfundimin se fëmijët e vegjël nuk paraqesin rrezik për infeksion nga Covid-19 sepse nuk kanë "receptorët" që virusi synon të kapë dhe kanë pak gjasa që të preken edhe vetë. Doktor Daniel Koch, drejtuesi i njësisë së sëmundjeve infektive në Departamentin Federal të Shëndetit Publik në Zvicër, gjatë një konferencë për shtyp në Bern deklaroi:

"Fëmijët e infektuar janë të rrallë dhe shumë prej tyre nuk preken prej virusit. Kjo është arsyeja pse fëmijët e vegjël nuk paraqesin rrezik për pacientë të tjerë ose gjyshërit.

Megjithatë, këshillat e reja vlejnë vetëm për fëmijët nën moshën 10 vjeç, të cilët nuk tregojnë shenja sëmundjeje”, nënvizoi Koch.

Pra, gjyshërve ende u këshillohet të mbajnë distancë qoftë nga fëmijët, qoftë nga të rriturit pasi konsiderohen si mosha më e rrezikuar prej koronavirusit.

Një tjetër studim në fillim të këtij muaji tregoi se një nxënës nëntë vjeçar britanik që u infektua prej virusit gjatë një fundjave pushimi për ski në Francë nuk ia transmetoi askujt pavarësisht se ra në kontakt me më shumë se 170 njerëz.

Epidemiologët francezë të cilët kryenin studimin arritën në përfundimin se "fëmijët mund të mos jenë një burim i transmetimit të këtij virusi".

Por, më vonë, ekspertët britanikë vunë në dyshim këshillat e zviceranëve dhe paralajmëruan se mbetet një mungesë e të dhënave shkencore për të bërë një deklarim kaq radikal.

Qasja e re e shkencëtarëve zvicerianë ngjall pikëpyetje pasi më parë thuhej se fëmijët dhe të rinjtë kanë transmetueshmëri më të lartë të virusit tek më të moshuarit dhe me gjasë do të nisin diskutimet edhe në vendet e tjera.

Zvicra ndërkohë, është një nga vendet europiane që ka filluar të lehtësojë masat e bllokimit. Këtë javë u hapën kopshtet, çerdhet dhe parukeritë.

Ekzistojnë raporte që disa anëtarë të Grupit Këshillimor Shkencor të Qeverisë për Emergjencat gjithnjë e më shumë mendojnë se ka prova që fëmijët nuk e kalojnë virusin tek njëri-tjetri. Kjo ka çuar në një thirrje që shkollat ​​të rihapen deri në qershor.

Përshtatur nga The Telegraph

Të fundit