Flash News

KRYESORE

Shkon në 475 numri i të infektuarve me Covid-19, harta e të prekurve për herë të parë edhe në Kukës

Shkon në 475 numri i të infektuarve me Covid-19, harta e të

Ka shkuar në 475 numri total i të infektuarve me covid-19 në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Shendetësisë, tetë raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit dhe për herë të parë hartës së të prekurve i është shtuar edhe qyteti i Kukësit.

"Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 8 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 6 raste në Tiranë, 1 personel shëndetësor në Shkodër dhe 1 personel shëndetësor në Kukës.

Deri në këto momente janë testuar 4306 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 475 raste.

24 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me COVID-19, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

Gjatë 24 orëve të fundit, 16 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 248.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 37 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 prej tyre janë të intubuar.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 46 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet për herë të parë në Kukës dhe zgjerohet në Tiranë dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

- Tiranë           227 raste

- Durrës           42 raste

- Lushnje         6 raste

- Elbasan         15 raste

- Fier                32 raste

- Kavajë           8 raste

- Rrogozhinë    4 raste

- Korçë             17 raste

- Vlorë              5 raste

- Shkodër          71 raste

- Lezhë             14 raste

- Berat              2 rast

- Has                13 raste

- Krujë             6 raste

-Tropojë          4 raste

- Pukë              5 raste

- Mirditë           3 raste

- Kukës        1 rast

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale.

Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", sqaron MSH.

Të fundit