Shkrimi kritik në gazetën ‘Bild’, Gjylameti: U pagua nga paratë e pista të opozitës

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, akuzon opozitën shqiptare se ka sponsorizuar artikullin kritik të gazetës gjermane ‘Bild’ ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas Gjylametit, opozita përdor paratë e pista, të ardhura nga vende të huaja, për të botuar shpifjet në mediat ndërkombëtare.

“Ata që paguajnë para për të nxirë imazhin e Shqipërisë në botë, për të goditur ekonominë dhe turizmin, sot dalin dhe rrahin gjoksin krenarë për zullumet që i bëjnë Shqipërisë. Është e vërtetë, artikuj si ai i djeshmi në gazetën gjermane, i bëjnë dëm imazhit të vendit jashtë. Në Shqipëri askush nuk beson vërtetësinë e një artikulli ku deshmitarë janë një ish minister i opozitës dhe një gazetar i oborrit të opozitës. Fatkeqesisht, prej parave te pista, të ardhura nga vende të huaja (dhe kjo pistë është nën hetim serioz), përfaqësues të opozitës duan thjesht dhe vetëm të botojnë në media ndërkombëtare baltën dhe shpifjen që recitojnë çdo ditë në Shqipëri. Kjo është strategjia e opozitës, e cila pa vizion dhe program për të ardhmen do vetëm të djegë e të shkrumbojë të tashmen”, u shpreh Gjylameti.

Gazeta më e madhe në Gjermani botoi dje një speciale për Shqipërinë, ku e konsideronte kryeministrin Edi Rama ‘një gangster’ dhe Shqipërinë ‘një shtet të mafias’. BILD përmendte faktin se dy ministra të Ramës, Xhafaj dhe Tahiri, janë të përfshirë në trafikun e drogës dhe janë detyruar të largohen.

Partia Socialiste po reagon ashpër ndaj këtij shkrimi, madje deputetja Elona Gjebrea paralajmëroi dje edhe ndjekje ligjore ndaj gazetës gjermane.