Flash News

KRYESORE

Shkrimtari Bashkim Shehu në Akademinë Ballkanike Europiane, anëtar nderi autori turk Orhan Pamuk

Shkrimtari Bashkim Shehu në Akademinë Ballkanike Europiane,

Me moton “Ballkani është zemra e Europës”, shprehje e shkrimtarit zviceran Nicolas Bouvier, u themelua para pak ditësh në Bukuresht, Akademia Ballkanike Europiane – institucioni i parë kulturor që e trajton Ballkanin si tërësi qytetërimesh dhe si pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët europiane.

Kryetari i parë i Akademisë është regjisori i teatrit Ion Caramitru, drejtor i Teatrit Kombëtar të Rumanisë, ish-ministër i Kulturës. Sekretar i Përgjithshëm është Jordan Plevnesh, shkrimtar maqedonas dhe President i Festivalit të Filmit dhe Teatrit të Europës Juglindore (Paris-Berlin). Si anëtar nderi është propozuar shkrimtari turk Orhan Pamuk. Ndër anëtarët e Akademisë është edhe poetesha e shquar rumune Ana Blandiana. Nga Shqipëria, në takimin themelues mori pjesë shkrimtari Bashkim Shehu. Anëtarë të tjerë nga Shqipëria janë kinoregjizori Kujtim Çashku dhe muzikologu Vasil Tole. Kosova do të ketë dy anëtarë, ndër të cilët Veton Nurkollari, themelues dhe Drejtor Artistik i festivalit më të madh kinematografik të Kosovës; është propozuar edhe aktorja e njohur Arta Dobroshi.

Takimi i parë i Komitetit Themelues u organizua në shkurt 2017 në Shkup, me pjesëmarrjen e pesëmbëdhjetë krijuesve ballkanas të njohur ndërkombëtarisht dhe nën drejtimin e Kryetarit të Akademisë Europiane të Shkencave, Arteve dhe Letërsisë Jean-Patrick Connerade.

Në këta shtatë muaj, Komiteti Themelues propozoi që të jenë gjithsej tridhjetepesë anëtarë, nga dhjetë vende: Rumani, Greqi, Bullgari, Turqi, Serbi, Shqipëri, Bosnje, Maqedoni, Mali i Zi dhe Kosovë.

Të fundit