Flash News

KRYESORE

Shkrimtarja e zhgënjyer nga Rama, gazeta e majtë: Nuk është e para nga ish-mbështetësit e kryeministrit që ndihet kështu

Shkrimtarja Elvira Dones, pak ditë më parë bërë një reagim ku shprehet zhgënjimin e saj ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e mbështeti në vitin 2013 kur erdhi në pushtet.

Ndër të tjerash, Dones akuzonte Ramën se ka shuar shpresat e shqiptarëve.

Ky reagim i shkrimtares së bashku me një qëndrim editorial është titulli kryesor i gazetës ‘Dita’ e njohur për qëndrimet e saj pro të majtës.

“Postimi i mëposhtëm i zonjës Dones ka të bëjë me mërinë e shkrimtares së njohur për atë që nuk është bërë dhe që e kemi pritur, dhe nuk ka të bëjë me atë që është bërë, të cilën ne kalimtarët e vonuar, jo vetëm nuk e shohim, por as që e dimë ku ka qenë”, thuhet ndër të tjerash në shkrimin e publikuar në gazetën ‘Dita’.

Më tej, në tekst thuhet se “zonja Dones shpreh një zhgënjim të madh dhe nuk është e para nga ish-mbështetësit e shumtë të Ramës që ndihet kështu”.

Gazeta ka kontaktuar me shkrimtaren pas reagimit të bërë prej saj në rrjetin social dhe ajo është shprehur se “ajo çka postova përmban gjithçka desha të them”.

Postimi i Elvira Dones

Është kjo “gjëja” në Shqipërinë time, kjo “gjëja” që gjen në të githa vendet që vuajnë pafundësisht. Kur zbret në të je i huaj sido që të mbërrish, skamnor ose pasunar, me valixhe që vlen dy groshë si e imja, apo me Yves Saint Laurent legeni, me orë floriri në kyç, meqë është bërë kështu duke luajtur me jetën e të tjerëve.

Kur zbret në Tiranë je ajo që je bërë në vitet e gjata të emigrantit. Pastaj, sa e hap e mbyll sytë shndërohesh në shqiptar. Miqtë e tu të dashur janë atje për ty, të thërrasin në mes të natës, në odën tënde të bujtinës. Të thonë fjalë që askush tjetër nuk mund të t’i thotë, përveç atyre. Nganjëherë nuk të thonë asgjë. Shpesh të marrin erë, teksa të përfshijnë në një përqafim vuv, të marrin prapë erë para se të ulen me ty dhe të pijnë një çaj mali.

Tek miqtë e mi të zemrës e vendos shpirtin tim krejt të zhveshur, të pafajshëm, të marrë. Tek miqtë e mi që më marrin erë, që më dëgjojnë, që kanë parë dhimbjen në sytë e mi, që pa bërë zë më kanë dhënë ushqimin e tyre të barsaletave për atë politikë lokale muti…

Këtyre miqve, të asaj Shqipërie sublime, i kushtoj të gjithë dashurinë time të pafuqishme.

Në emër të tyre akuzoj klasën politike të tanishme, akuzoj dhe vetëm akuzoj kryeministrin e “shitshëm” për lajmet perëndimore, përherë e më të nxituara dhe sipërfaqësore.

Akuzoj këtë burrë për arrogancën tij të padëgjuar dhe vulgare, për korrupsionin e tij absolut.

E akuzoj, sepse ka shuar shpresat e shqiptarëve.

Në emër të Shqipërisë që mund të bëhej dhe ju e vodhët pa mëshirë, unë e akuzoj.

Dhe as e vras mendjen për ironinë tënde dy lekëshe.

I couldn’t care less of your dismissiveness. I accuse you.

Dhe nuk mund të më bësh asgjë, sepse je i mjerë dhe skile, ndërsa Shqipëria po vdes.

Shkrimi tek gazeta 'Dita'

 

 

 

 

 

Të fundit