Flash News

KRYESORE

Shkurtimi i rrogave, ISP nxjerr “detajin” paradoksal: Shteti penalizoi mësues, gjyqtarë, policë..., por jo milionat e partive

Instituti i Studimeve Politike ka vënë në pah një detaj paradoksal të shtetit shqiptar gjatë periudhës së pandemisë, kur u mor nisma për shkurtim pagash.

Në këtë kategori u përfshinë prokurorë, gjyqtarë, punonjës të administratës etj., por ajo që ra në sy është se shteti nuk preku fondin e partive politike, madje vijon të financojë edhe parti që ekzistojnë simbolikisht.

“Masat mbështetëse financiare për situatën e COVID-19? Ka pasur një nismë nga Kuvendi për të siguruar 20-50% rroga nga institucionet e pavarura, për mbajtjen e 50% të rrogave të ministrave&zv/ministave, për heqjen 3 mujore të të ardhurave nga bordet, nisma për mbajtjen e një pjese të rrogës së administratës, përfshirë edhe mësuesve e mjekëve, ka pasur nisma për reduktimin e pensioneve të zakonshme e suplementare, deri edhe propozime për ndalimet e rrogës shtetërore për 3 muaj. Disa janë realizuar, disa jo. Në fakt, vetë rritja e inflacionit ka sjellë uljen reale të rrogave me 5-10%, megjithatë në të gjithë këtë histori të bën përshtypje një “detaj”.

Nuk ka pasur asnjë nismë për rishikimin e buxhetit vjetor të partive politike dhe as të mbështetjes financiare shtetërore që iu dha mazhorancës, e cila konkurroi e vetme dhe natyrisht fitoi e vetme 98% të njësive vendore. Partitë ligjërisht janë organizime vullnetare dhe gjatë 2020 nuk kemi zgjedhje, ndaj duket luks që shteti në emër të solidaritetit dhe emergjencës të penalizojë mësues, policë, punonjës administrate, pedagogë, mjekë, infermierë, ushtarakë, gjyqtarë, prokurorë, etj, dhe të mos ndjehet fare kur bëhet fjalë për miliona euro që ai ndan për partitë politike dhe ku partia në pushtet, merr pjesën kryesore.

Madje shteti vijon të financojë edhe parti që ekzistojnë simbolikisht, siç e tregon tabela.

Ka vende anëtare në BE që kanë bërë shkurtim 50% të fondit të partive dhe rritje të pagesës për punonjësit e shërbimeve publike/arsimore/shëndetësore, etj. Tek ne vijon paradoksi, - mjekë e mësues, policë e ushtarakë, meritojnë shumë më tepër vlerësim e mbështetje sesa biznesi informal dhe abuzues i partive politike, i cili ka deformuar pluralizmin, përfaqësimin politik dhe nevojën jetike të vendit për parti institucionale e konkurruese”, shkruan ISP.

Të fundit