Flash News

KRYESORE

Shpërthimi i rasteve me Covid, mjeku Pipero: Ra vigjilenca e qytetarëve, por edhe e stafeve mjekësore

Shpërthimi i rasteve me Covid, mjeku Pipero: Ra vigjilenca e

Sot në ditën me numrin më të lartë të rasteve të reja, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u bën apel qytetarëve të jenë të ndërgjegjshëm, pasi virusi vazhdon të qarkullojë edhe pse me transmetueshmëri të ulët.

Për televizionin A2, Pipero tregon arsyet që na çuan në shifrat më të larta të të infektuarve që nga fillimi i epidemisë.

“Në radhë të parë është heqja e të gjitha masave kufizuese 10-15 ditë më përpara, së dyti është hapja e shumë aktiviteteve ekonomike, baret restorantet, një ndikim kanë pasur edhe tubimet dhe protestat e ndryshme. Po ashtu, një arsye tjetër që e besoj fort është shtimi i numrit të testimeve përmes gjurmimit”, u shpreh Pipero.

Mjeku pranon se me hapjen e plotë të vendit ra vigjilenca e qytetarëve, madje edhe e vetë stafeve mjekësore të cilët krijuan vatra infeksioni në shërbime të caktuara.

Gjithashtu ai shton se situata pritet të përmirësohet pasi agresiviteti i virusit ka rënë.

“Ky është konstatim edhe i kolegëve në botë, ka rënë transmetueshmëria dhe virulenca, por virusi vazhdon të qarkullojë. Koha e gjatë e ekspozimit bën të kemi raste të tjera pozitive dhe të sëmurë. Ndaj, duhet të kemi shumë kujdes. Pas 3 ditësh, situata besoj do të përmirësohet”, shprehet mjeku.

Këshillat për njerëzit:

“Të respektojmë në maksimum distancën fizike dhe vendosjen e maskave në ambiente publike krahas higjienës së duarve. Kaq mjafton që edhe nëse ekspozohemi ndaj virusit, të mos sëmuremi, por të fitojmë imunitet”.

Të fundit