Flash News

KRYESORE

Shqipëri/ Muxhahedini Shahriar Kia: Deklaratat e Khameneit mos i merrni seriozisht

Shqipëri/ Muxhahedini Shahriar Kia: Deklaratat e Khameneit mos i merrni

Një nga muxhahedinët që jetojnë në Shqipëri, Shahriar Kia, deklaroi se kërcënimet e liderit suprem të Iranit Ali Khamenei, nuk duhen marrë seriozisht. Në kampin “Ashraf 3” në Manzë jetojnë mbi 2500 anëtare të MEK, opozitës iraniane.

“Ne ndihemi të sigurt, sepse ne jemi alternativa kryesore dhe opozita e regjimit iranian, që është një regjim djallëzor. Ne kemi qenë gjithnjë nën kërcënim jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha shtetet nëpër botë, përfshirë brenda Iranit. Deri më sot mund të numërohen më shumë se 120 mijë përkrahës dhe anëtarë të MEK, anëtarë të opozitës në Iran të cilët janë ekzekutuar nga ky regjim. Është diçka me të cilën jemi përfshirë prej dekadash, pra ne jemi një armik i regjimit atje, dhe kemi gjithnjë të njëjtat kërcënime”, tha ai për Euronews Albania.

Ai shtoi se Shqipëria nuk ka përse të ndihet e rrezikuar nga deklaratat e Khameneit dhe se ato nuk duhet që të merren seriozisht.

“Si gjithmonë, asgjë e re s’ka ndodhur. Ne kemi qenë nën kërcënim, dhe sigurisht ne jemi shumë aktivë në sigurinë tonë, dhe siguria është shumë e besueshme. Prandaj, mendoj se nuk është një kërcënim i ri dhe për t’u marrë seriozisht kundër nesh apo kundër Shqipërisë. Shqipëria nuk është një rast i jashtëzakonshëm, por nuk është as një rast i veçantë në këtë pikë”.

Të fundit