Flash News

KRYESORE

“Shqipëria burim i kanabisit”/ Ministria e Brendshme reagon për publikimin e CIA-s: Është i vitit 2017-të

“Shqipëria burim i kanabisit”/ Ministria e Brendshme reagon

Ministria e Brendshme ka reaguar lidhur me raportimin në media se Shqipëria konsiderohet nga CIA amerikane si burimi kryesor për prodhimin e kanabisit në Europë, duke theksuar se ky etiketim i përket vitit 2017-të.

“Megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i “Factbook” si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë. Aktualisht për Shqipërinë, “Factbook” ka të njëjtën përmbajtje me atë të vitit 2017 dhe ky tekst, me ndryshime të vogla, është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016”, thuhet në reagimin e MB-së shqiptare.

Gjithsesi, ndonëse Ministria flet për raport të vitit 2017-të dhe jo të këtij viti, ku Shqipëria konsiderohet vend burim për kanabisin, nuk duhet harruar se nga viti i kaluar ministri i Brendshëm dhe kryeministri nuk kanë ndryshuar, por janë të njejtët.

Reagimi i plotë:

Ministria e Brendshme sqaron se lajmi i dalë në media në lidhje me publikimin e një raporti të ri të CIA-s mbi situatën e sigurisë në Shqipëri, është i pasaktë dhe keq-orientues për publikun.

Sqarojmë se nuk ka ndonjë raport specifik të kësaj organizate të publikuar në ditët e fundit në lidhje me situatën në Shqipëri.

“The World Factbook”, është i publikuar në faqen zyrtare të CIA-s. Ky është një produkt i kësaj organizate që përditësohet në mënyrë të përjavshme dhe përmbajtja është lehtësisht e aksesueshme online. Pra, megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i “Factbook” si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë.

Aktualisht për Shqipërinë, “Factbook” ka të njëjtën përmbajtje me atë të vitit 2017 dhe ky tekst, me ndryshime të vogla, është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016. Bashkëlidhur me këtë njoftim përcjellim edhe fotot “print-screen” të faqeve përkatëse të “Factbook” sipas viteve.

Spekulimet politike për të prodhuar me çdo kusht lajme negative njollosin dhe cënojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ministria e Brendshme ka qenë dhe mbetet e hapur dhe transparente me median duke informuar me korrektesë për ngjarje që kanë të bëjnë me luftën kundër paligjshmërisë e kriminalitetit.

Të fundit