“Shqipëria e qëndrushme në tregjet ndërkombëtare”, Ministria e Financave: Moody’s ruan të pandryshuar renditjen tonë në B1

Pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, me tërmetin dhe më pas pandeminë e COVID-19, ekonomia shqiptare vijon të jetë e qëndrushme në tregjet ndërkombëtare. Lajmi është bërë me dije nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ku përmes një njoftimi publik thuhet se: “Plotësimi më i fundit, që Moody’s i bën vlerësimit të Shqipërisë, ruan të pandryshuar renditjen e Shqipërisë në B1, pas emetimit të suksesshëm të Eurobondit në muajin Qershor të këtij viti”.

Sipas Ministrisë “vlerësimi i qëndrueshëm, thekson me pozitivitet dhe me renditjen më të lartë ndër indikatorët, ecurinë e institucioneve dhe qeverisjen e vendit.”

Njoftimi i plotë:

Raportet e mëparshme të kompanive ndërkombëtare kanë vlerësuar përmirësimin e profilit makroekonomik, progresin në reformat strukturore dhe institucionale, si dhe konsolidimin fiskal të arritur gjatë viteve të fundit.

Plotësimi më i fundit, që Moody’s i bën vlerësimit të Shqipërisë, ruan të pandryshuar renditjen e Shqipërisë në B1, pas emetimit të suksesshëm të Eurobondit në muajin Qershor të këtij viti.

Vlerësimi i qëndrueshëm, thekson me pozitivitet dhe me renditjen më të lartë ndër indikatorët, ecurinë e institucioneve dhe qeverisjen e vendit. Moody’s sjell në vëmendje të investitorëve veçanërisht angazhimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, angazhim i konfirmuar edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian në muajin Mars të këtij viti.

Përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për të reduktuar borxhin publik dhe deficitin buxhetor do të vijojnë në koordinim me institucionet ndërkombëtare, për të siguruar konsolidmin fiskal të financave publike shqiptare, menjëherë pas përballimit të situatës së pandemisë. Diversifikimi i ekonomisë dhe burimeve energjetike po vazhdon përmes projekteve novatore në sektor, duke reduktuar varësinë nga burimet ujore.

Paketat e Qeverisë i kanë shërbyer lehtësimit të barrës së biznesit në vend dhe kanë mbështetur qytetarët në këto muaj të pandemisë. Nismat e fundit të Qeverisë do të lehtësojnë klimën e të bërit biznes dhe do të nxisin formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë. Qeveria Shqiptare po angazhohet, të adresojë nevojat e qytetarëve për një rimëkëmbje të ekonomisë, përmes propozimeve në Aktin Normativ të Buxhetit të miratuar këtë javë, ndërkohë që Reforma në Drejtësi nuk ka rreshtuar së qënuri prioritet qeverisës.