Flash News

KRYESORE

Shqipëria më e rrezikuara në Europë nga vendimi i Trump, heshtje nga politika dhe mungesë vëmendje te mediat

Që prej ditës së djeshme bota është duke ‘zierë’ nga vendimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja për klimën. Bashkimi Europian, Kina, Rusia, Japonia, Meksika dhe shumë shtete të tjera kanë kritikuar vendimin e Trump, ndërsa janë shprehur të vendosur për t’i qëndruar detyrimeve të tyre.

Po në Shqipëri? A duhet që zyrtarët më të lartë të vendit të reagojnë për një ngjarje që në fakt luhet nga aktorët e mëdhenj në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Sigurisht, nëse kemi parasysh ndikimin e Shqipërisë në shkarkimet e gazrave serrë, ai është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare dhe kjo e bën vendin tonë një aktor me ndikim shumë të vogël në këtë çështje, por shqiptarët duhet të dinë se vendimi i Trump do të ndikojë drejtpërdrejt në jetët e tyre brenda një kohe shumë të shkurtër.

Pasojat në Shqipëri

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Sipas një studimi të publikuar nga Standard & Poor’s, i vitit 2014-të, shumë pak vende në botë ishin tepër të rrezikuara nga ndryshimet klimaterike dhe një prej tyre është Shqipëria. Shqipëria është shteti i vetëm në Europë që përballet me kërcënime serioze nga ndryshimet e klimës sipas këtij raporti.

Edhe shkencëtarët vendas kanë shprehur më herët shqetësimin se rreziku nga përmbytjet dhe thatësia do të shtohet në vendin tonë.

“Pjesa e ultësirës tonë bregdetare është baraz ose pak më e ulët se niveli i detit. Pra, nëse deti ngrihet, jo me skenarët 100 cm, 50, apo 20, por edhe sikur të ngrihet me skenarin më minimal që po ndodh aktualisht me 5 cm, atëherë vija bregdetare hyn në thellësi të vendit deri në rrugën Lezhë – Mamuras dhe deri në rrugën Fier – Rrogozhinë – Durrës. Vendi ynë po e pëson atë që po ndodh sot në botë. Shqipëria është një vend i viktimizuar” – deklaronte në 2015-ën eksperti dhe aktivisti i mjedisit Sazan Guri.

Deti Adriatik është i prekur fort nga ngrohja globale, uji është aktualisht në rritje në rreth një centimetër një vit dhe është ngrohur që nga viti 1970, me një gjysmë gradë Celsius. Sipërfaqja e Detit Adriatik është rritur tashmë nga disa cm, çka ka sjellë dëme të rënda për ekonomitë e zonës bujqësore bregdetare. Fushat e tokat bujqësore, pyjet e pishave dhe liqenet përmbajnë tashmë shumë kripë dhe burimet e ujit të pijshëm nuk janë më të përdorshme.

Sitna e dimrit është shkurtuar në kohëzgjatje, por janë shtuar reshjet e shpeshta e të rënda, të cilat përgjatë vitit 2010, në muajt janar dhe dhjetor, shkaktuan përmbytje dramatike të qytetit të Shkodrës dhe pesë vite më pas situata u ripërsërit në jug të vendit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Ndikimi i Shqipërisë në ngrohjen globale

Shqipëria ka një kontributi të vogël në shkarkimet e gazrave serrë, i cili është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion ton/vit të gazit karbonik Co2. Rreth 90% e energjisë së Shqipërisë (95% të energjisë elektrike) e prodhojnë hidrocentralet dhe prej tyre nuk përftohen thuajse fare emisione CO2. Emisionet e gazrave serë për frymë në Shqipëri shkojnë në rreth tre ton, çka regjistrohet nën mesataren (në vendet e industrializuara, emisionet shënohen rreth katër herë më të larta) e vendeve të industrializuara.

Pavarësisht ndikimit të vogël, Shqipëria paraqiti në OKB angazhimet e saj kombëtare që në tetor 2015-ës dhe ka vendosur të zbatojë me rigorozitet angazhimet e marra per të pakësuar emetimin e dioksidit të karbonit (CO2) me 11.5 % deri në vitin 2030.

Heshtja e politikës

Ndonëse të gjithë liderët botërorë po reagojnë kundër vendimit të Trump, nuk po veprojnë njësoj zyrtarët e Shqipërisë, vendi më i rrezikuar në Europë nga kjo lëvizje e SHBA.

Më 13 dhjetor të 2015-ës, Ministria e Jashtme e Shqipërisë përshëndeti dakordësinë e shteteve për të firmosur Marrëveshjen e Parisit.

“Shprehim bindjen se Marreveshja e Parisit do të shërbejë për të trajtuar edhe çështje të tjera të mëdha si siguria e ushqimit, shëndeti publik, lufta kundër kundër varfërisë, dhe të drejtat themelore, duke kontribuar kështu në mënyrë të drejpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në botë”, thuhej në reagimin e MPJ-së shqiptare.

Në korrik të 2016-ës, kjo marrëveshje u ratifikua në Kuvend me 87 vota pro, dhe ndonëse konsiderohej moment historik, asnjë prej 10 deputetëve që kishin regjistruar emrin për të folur për këtë çështje nuk thanë asnjë fjalë, por u morën me akuza personale të politikës së ditës.

Vëmendja e ulët e medias dhe opinionit publik

Në kohë përmbytjesh masive, mediat dhe opinioni publik në Shqipëri flasin shumë për dëmet, pasojat dhe akuzat politike, por shumë pak dëgjohet për masat që duhet të marrë vendi ynë për të siguruar qytetarët në të ardhmen e afërt.

Ndryshimet klimatike zënë një rol shumë të vogël në median shqiptare dhe interesi i qytetarëve është afër zeros, ndonëse janë duke ndjerë ndikimin e drejtpërdrejt në xhepat e tyre.

Në 2010-ën, 50% e qytetit të Shkodrës mbeti për disa ditë nën sudimin e ujit dhe në 2015-ën situatë të ngjashme përjetuan shqiptarët në jug të vendit. Pa përjashtuar dëmin që vetë ne i kemi shkaktuar natyrës, me prerjen e pyejve apo gërryerjen e lumenjve, sërish problemi e kapërcen Shqipërinë, siç është vendimi i Donald Trump. Problem për të cilin në media vazhdon të flitet shumë pak. /Politiko.al

E gjithë bota kundër Trump, Angela Merkel: Duhet të mbrojmë ‘nënën natyrë’. Mbështetje nga Kina, Rusia dhe Japonia

Leonardo DiCaprio: Planeti po kërcënohet nga Presidenti Trump

Të fundit