Flash News

KRYESORE

Shqipëria i kërkon sërish Japonisë të liberalizojë vizat, Ruçi takon kryeparlamentarin japonez

Shqipëria i kërkon sërish Japonisë të liberalizojë

Shqipëria kërkon që marrëdhëniet me Japoninë të intensifikohen edhe më tepër. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla udhëtuan në Tokio, kryeqytetin japonez në një vizitë zyrtare. Ata u takuan me kryetarin e parlamentit të Japonisë, Tadamori Ōshima, ku folën për bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Japonia dhe Tokio përfaqësojnë një mrekulli njerëzore dhe admirohen nga të gjithë shqiptarët. Ne duhet të punojmë për nxitjen e investimeve japoneze në Shqipëri.

Rritjes së bashkëpunimit midis të dy vendeve do t’í shërbente edhe liberalizimi i vizave, i cili nëpërmjet qarkullimit të lirë të njerëzve, do të lehtësojë edhe qarkullimin e mallrave, shkëmbimet tregtare dhe turizmin.”, tha Ruçi.

Kurse homologu i tij Ōshima iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryetarit të Kuvendit për të vizituar Shqipërinë.

“Japonia e konsideron Shqipërinë një vend mik dhe partner, një faktor kyç për zhvillimin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Unë do të nxis qeverinë dhe investitorët japonezë për më shumë bashkëpunim, shkëmbime e investime me Shqipërinë, e cila ka potenciale të larta zhvillimi, si edhe do të mbështes kërkesën Tuaj për liberalizimin e vizave”, tha ai.

Pak ditë më parë, në Tokio shkoi edhe presidenti Ilir Meta, i cili mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të perandorit të ri të Japonisë, Naruhito. Ai u takua nga kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe. Edhe kreu i shteti shqiptar kërkoi më shumë bashkëpunim si edhe liberalizim të vizave mes dy shteteve.

Të fundit