Flash News

KRYESORE

Shqipëria jashtë listës së investimeve, Ambasada e SHBA në Tiranë korrigjon njoftimin: Do publikohet së shpejti

Publikimi i raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve në rreth 170 shtete të botës shkaktoi debat të madh politik në Tiranë për arsye se Shqipëria nuk ishte bërë pjesë e tij.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim reaguan ashpër dhe bën përgjegjës Qeverinë e kryeministrit Edi Rama, që sipas tyre, me pastrimin e parave të pista ka përkeqësuar klimën e biznesit në vend.

Raporti për Klimën e Investimeve që publikohet nga DASH realizohet nga oficerët ekonomik të vendosur në çdo ambasadë amerikane në të gjithë botën. Ambasada e SHBA-së në Tiranë njoftoi më 23 korrik publikimin e këtij raporti dhe përfshirjen e Shqipërisë në të.

“Hidhini një sy analizës më të fundit të Departamentit të Shtetit mbi më shumë se 170 ekonomi nëpër botë, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila ndihmon në nxitjen e suksesit të bizneseve amerikane dhe ekonomisë botërore”, thuhej në njoftimin e ambasadës.

Por dy ditë më pas, me publikimin e faktit në media se Shqipëria në të vërtetë nuk rezultonte e renditur në listë dhe pas reagimeve të opozitës, ambasada e korrigjoi njoftimin duke sqaruar se raporti për Shqipërinë do të publikohej së shpejti.

“Hidhini një sy analizës së Departamentit të Shtetit mbi kushtet e investimeve në vende të ndryshme të botës (kapitulli mbi Shqipërinë do të publikohet së shpejti), e cila ndihmon në nxitjen e suksesit të bizneseve amerikane dhe ekonomisë botërore”, thuhet në njoftimin e korrigjuar të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Për këtë korrigjim të ambasadës amerikane ka reaguar edhe Petrit Vasili, kreu i Grupit Parlamentar të LSI.

“Ne të gjithë i lexojmë me shumë shumë vëmendje raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, pasi janë udhërrëfyes shumë të rëndësishëm për politikën mbarëbotërore por veçanërisht të pazëvendësueshëm për Shqiperinë. Ndaj vlerësojmë korrigjimin, që ambasada amerikane në Tiranë i bëri sot, pak orë më parë, njoftimit të bërë prej saj të dy ditëve më parë në 23 korrik, ku ajo njoftonte se në raportin për 170 vende për klimën e biznesit përfshihej edhe Shqipëria,kur në fakt Shqipëria as nuk ishte dhe as nuk është e përfshirë”, shprehet Vasili.

Edhe sot, tre ditë pas publikimit të këtij raporti, Shqipëria vijon të mos jetë pjesë e vendeve ku DASH orienton bizneset amerikane për të investuar.

Të fundit