Flash News

KRYESORE

"Shqipëria me rënien më të madhe ekonomike", Meta komenton raportin e BERZH: Respektimi i '5 qershorit', kyç për stabilitetin

"Shqipëria me rënien më të madhe ekonomike", Meta

Presidenti Ilir Meta ka komentuar raportin e BERZH për ekonominë shqiptare, duke e cilësuar atë si “parashikimin e zymtë dhe më negativin jo vetëm ndër vendet e Ballkanit, por edhe gjithë rajonit.”

Në raportin e saj, BERZH fliste për një rënie ekonomike me mesatarisht - 5.1% për vendet e Ballkanit Perëndimor.  Sipas BERZH-it, Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që po e ndjejnë më shumë goditjen e COVID-19 në rajonin e Ballkanit. Ndërkaq, vendi ynë pritet të ketë rënien më të madhe ekonomike në rajon me -9%.

Nisur nga situata e rëndë ekomomike, Meta shprehet se “çdo përshkallëzim i mëtejshëm i krizës politike në vend, do rrezikonte seriozisht stabilitetin dhe pasigurinë për qytetarët.”

Presidenti bën thirrje për “parandalimin e rënies në humnerë”, teksa shton se “respektimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit, është kyç për stabilitetin politik, por edhe për ekonominë kombëtare dhe atë të çdo familjeje shqiptare.”

Postimi i plotë i Metës:

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë së fundmi një parashikim të zymtë për të ardhmen e afërt të ekonomisë shqiptare, më negativi jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH.

Konkretisht, rritja ekonomike per vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të ulet në - 5.1% në vitin 2020 si rezultat i kolapsit të sektorit të turizmit, ndërprerjes globale të zinxhirit të furnizimeve, prodhimit të ulët industrial, rënies së investimeve të huaja, si dhe dërgesave nga diaspora.

Ndërkohë që parashikimi i rritjes ekonomike për Shqipërinë për vitin 2020 është - 9.0% më i larti krahasuar me vendet e rajonit.

Rënia ekonomike e Shqipërisë është sa dyfishi i mestares së vendeve të tjera të rajonit.

Pandemia ka prekur dhe ka ndikuar negativisht në ecurinë e turizmit, aq sa rënia e aktivitetit të turizmit ka kontribuar më shumë se 1/5 e uljes së rritjes ekonomike.

Gjithashtu eksportet për periudhën 7 mujore në vitin 2020 janë tkurrur në -17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënia më e madhe e eksporteve është rregjistruar me Italinë, në rreth 40% për periudhën mars - maj të vitit 2020. Ndërsa rënia e dërgesave nga diaspora në më shumë se 1/5 ka ndikuar negativisht në rënien e konsumit.

Në këto kushte çdo përshkallëzim i mëtejshëm i krizës politike në vend, do rrezikonte seriozisht stabilitetin dhe pasigurinë për qytetarët.

Koha për parandalimin e rënies në humnerë është tani!

Ndaj respektimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit, është kyç për stabilitetin politik, por edhe për ekonominë kombëtare dhe atë të çdo familjeje shqiptare.

KOHA PËR T'U THELLUAR! 🇦🇱

Të fundit