Flash News

KRYESORE

Shqipëria po kthehet në një destinacion të turizmit shëndetësor, por a ka një strategji për zhvillim?

Shqipëria po kthehet në një destinacion të turizmit

Në sallën e pritjes të një klinike private të kirurgjisë plastike në Tiranë po presin 4 pacientë, njëri prej të cilëve është i huaj. Të katërt kanë lënë takime me kirurgë të ndryshëm, por i bashkon kërkesa që kanë: rimodelimi i hundës apo rhinoplastika. “Gjithçka është e mundur, hajde ta shikojmë”, – i thotë kirurgu shqiptar, italianit që po priste, në gjuhën e tij.

Në atë moment, të vjen ndër mend që në vitin 2016, fjalia më e kërkuar në Google nga shqiptarët ishte “Sa kushton një operacion i hundës”, gjetje e cila e bëri të njohur vendin e vogël ballkanik në studimin e autorëve amerikanë. Më pas, të kujtohen edhe emigrantët shqiptarë, sidomos ata në Itali, të cilët prisnin gushtin për të marrë shërbimet dentare në Shqipëri, minimalisht me gjysmën e çmimit të vendit ku jetonin. E që më pas, ua bënë ‘atraktive’ edhe italianëve (apo edhe të tjerëve) se sa të voliste të kryeje shërbime dentare në Shqipëri.

Ndërsa sot, në vitin 2019, klinika të ndryshme kirurgjie plastike në kryeqytet pohojnë se, ndërhyrjet plastike janë aseti kryesor që Shqipëria ka pasur vitet e fundit për të tërhequr të huaj. Dhe kjo, thotë dr. Skerdilajd Faria, drejtues i klinikës “Keit”, ka ndodhur kryesisht për shkak të mjekëve italianë, turq apo grekë, që kanë punuar në Shqipëri në 10 -vjeçarin e fundit dhe që ua kanë bërë të ditur këtë “leverdinë në çmime” bashkëkombësve të tyre.

Aktualisht, në klinikën “Keit”, departamenti i statistikës tregon për kryerjen e mbi 8,000 ndërhyrjeve në muaj. Shifra tregon rritjen e tregut të ndërhyrjeve plastike. Në mesin e kërkesave, ka edhe shumë të huaj që kërkojnë shërbime të tilla në vendin tonë. Arsyeja është e thjeshtë, thotë dr. Skerdi, çmimi më i lirë.

“Në vendin tonë po strukturohet dhe po bëhet gjithnjë e më i organizuar, turizmi shëndetësor. Klinikat kanë nisur të bëjnë tërheqjen e klientëve të huaj, në formën e paketës gjithëpërfshirëse: ndërhyrja, post-operacioni, hoteli, ushqimi etj. Ndonëse jemi ende në hapat e parë sa i përket strukturimit, për të cilin nevojiten ende punë, ndërhyrjet kirurgjikale janë të kërkuara nga të huajt, duke qenë se kirurgët janë profesionistë, cilësia është e lartë dhe çmimet janë 50% më të lira se në Itali konkretisht. Disa miq të mitë, kur ishin të dyzuar për të ardhur apo jo në Shqipëri, u bindën duke pasur parasysh se i njëjti kirurg që do t’i ofronte shërbimin që kërkonin edhe në Romë, i njëjti do të ishte edhe në klinikën tonë”, – thotë dr. Skerdi.

Si njohës i fushës, ai shton se, duhet pasur parasysh se shndërrimin e një vendi si pikë e rëndësishme e turizmit shëndetësor nuk e bën vetëm çmimi, por edhe afërsia kulturore, gjuha, të qenët një vend i sigurt për të udhëtuar dhe stafi mjekësor profesional dhe i besueshëm. Pikërisht për këtë arsye, shton dr. Skerdi, italianët kanë qenë më të tërhequr për të marrë shërbime të tilla, duke qenë se kanë gjetur një ‘mini Itali’ këtu, si në staf, ashtu edhe për gjuhën.

 

Megjithatë, duke u përpjekur të mos jetë përjashtues, dr. Skerdi tregon rastin e një çifti amerikan që erdhën vitin e shkuar për të kryer ndërhyrjen e rimodelimit të hundës, të cilët e shfrytëzuan javën e parë për të bërë pushime në Jug të Shqipërisë, më pas për ndërhyrjen. Kostoja totale e udhëtimit të tyre, bashkë me pushimet, ishte sërish 20% më e lirë se sa kushton vetëm ndërhyrja në Amerikë.

E megjithatë, shërbimet dentare janë bërë gjithnjë e më tepër tërheqëse për italianët, mit të cilin e njohim vite më herët. Antonio Cirillo i jep dorën mjekut stomatolog që për një javë u përkujdes për dhëmbët e tij, në një klinikë në rrugën “21 Dhjetori” në Tiranë, “Të sjellshëm, të buzëqeshur, mbi të gjitha profesionistë. Ju konsideroj artistë se sa specialistë të fushës, jeni të pakapërcyeshëm në proteza dentare. Shërbim të tillë nuk kam hasur në Itali. Më modeluan dhëmbët si një stilist i njohur të krijon një veshje. I kam këshilluar te miqtë e mi në Itali, sepse çmimet janë shumë të mira”, -thotë Antonio, i cili shton se në Tiranë erdhi për arsye biznesi.

Pse Shqipëria?

Me gjithë profilin e saj të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, Shqipëria ka nisur të jetë tërheqëse për turistët. Fluturimet ndërkombëtare lidhin Aeroportin e Tiranës me shumicën e destinacioneve në botë. Mediat e huaja, që e cilësojnë Shqipërinë si një vend pa rreziqe dhe me bukuri natyrore të jashtëzakonshme, janë shtuar shumë vitet e fundit. Tirana është bërë një qytet modern, ku flitet gjerësisht anglishtja, infrastruktura e turizmit është e mirë dhe vizitorët e huaj do të kenë një qëndrim të qetë dhe të sigurt.

Klinikat private po punojnë pikërisht në këtë drejtim, duke qenë se lokacioni i tyre është kryesisht në kryeqytet, për të tërhequr klientë potenciale të huaj. Kirurgjia plastike po sheh një zhvillim më të lartë, se sa ndërhyrjet e tjera, sepse sipas aktorëve të tregut, emergjenca e një ndërhyrje të tillë nuk është e lartë (kryesisht bëhet për qejf dhe jo nevojë shëndetësore, ndryshe nga ndërhyrje të tjera), gjë që u jep mundësi atyre edhe që të argëtohen si turistë.

Administratori i klinikës “DaVinci”, Arbër Faria, thotë se, mundësia për të parë një person, qoftë femër apo mashkull, me një hundë të fashuar duke pirë një kafe në Bllok, është e lartë dhe kjo ndodh sepse, në ndërhyrje të tilla estetike, pacienti mund të vijojë jetesën normalisht, me kujdese minimaliste. Sipas Arbrit, për këtë arsye Shqipëria me kirurgët profesionistë të huaj që ka, është atraktive për rajonin, duke ofruar çmime më të lira se Kroacia, Serbia dhe Bullgaria, të cilat e kanë zhvilluar më shumë turizmin shëndetësor se sa ne.

Megjithëse nuk ka hapa të rëndësishëm të mbështetjes së qeverisë qendrore për të nxitur udhëtimin mjekësor në Shqipëri (vetëm një plan i mbetur në

letër nga Agjencia Kombëtare e Turizmit e nisur në 2016), sektori privat i kujdesit shëndetësor duket se po merr ‘masa’. Para pak muajve është ndërtuar një agjenci, e cila merret në mënyrë direkte me nxitjen e turizmit shëndetësor në Shqipëri.

 

“Health Tourism Albania” funksionon si një lehtësues i udhëtimit mjekësor me bazë në Shqipëri, për pacientët ndërkombëtarë që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë për nevojat e tyre shëndetësore. Duke punuar në partneritet me ofruesit e kujdesit shëndetësor privat, Health Tourism Albania vepron si një lidhje, mes pacientëve dhe ofruesve të shërbimeve mjekësore shqiptare, për t’u dhënë mundësi të përballueshme dhe të shpejta për një gamë të gjerë shërbimesh, të personalizuara dhe të sigurta mjekësore.

Erjona Shahini, menaxhere e HTA, thotë për “Monitor” se, Shqipëria mund të jetë një destinacion tërheqës mjekësor për pacientët, veçanërisht për ata që kërkojnë zgjidhje me kosto të ulët. “Shqipëria tashmë shfaqet si një nga destinacionet europiane për turizmin mjekësor. Kjo për shkak të çmimeve konkurruese, aksesit të shpejtë në trajtime të ndryshme të personalizuara dhe të sigurta, si dhe shërbimeve dhe ekipit mjekësor ekselent. Ajo që ne ofrojmë, mbi të gjitha, është organizimi i udhëtimit të klientit 360gradë. Duke filluar nga marrja në aeroport, prenotimi i hotelit, kontaktet me strukturën spitalore, shoqërimi në të gjitha vizitat, paketë turistike nëse nevojitet deri te ndjekja kur klienti kthehet në atdheun e tij” -thotë znj. Shahini

Si funksionon?

Shumica e kujdesit shëndetësor në Shqipëri është ende shtetërore, megjithatë spitale dhe klinika të reja private kanë ngritur shërbime ambulatore në qytetet kryesore. Këto kanë tendencë të ofrojnë shërbime të teknologjisë më të avancuar se sa shteti dhe shërbime diagnostikuese, por kundrejt një kostoje. Të gjitha klinikat dentare janë në pronësi private, dhe prej vitesh një numër i këtyre klinikave kanë vërejtur një rritje të pacientëve italianë. Në përgjithësi, kudo në botë, një shtet i caktuar e marketon turizmin shëndetësor që ofron për shërbime ‘luksi’, që kryesisht janë trajtime që nuk mbulohen nga sistemet shëndetësore kombëtare.

E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë. Vendi ynë nisi të zhvillonte forma turizmi shëndetësor të paorganizuara për shërbime si dentare, kirurgji plastike dhe përkujdesje mirëqenie, për të cilat në vendet mëmë janë shërbime jashtë skemës së mbulimit shëndetësor. Në rastin konkret, pacientët nga vendet e zhvilluara do të udhëtojnë në një destinacion të zgjedhur prej tyre për trajtime të caktuara, duke përfshirë stomatologji, IVF dhe kirurgji kozmetike dhe do të zgjedhin vende me çmime më të lira në raport me cilësinë që do të marrin.

“Zgjedhja e tregjeve të duhura të marrjes së shërbimeve shëndetësore kursen shumë kohë, shpenzime të panevojshme dhe zhgënjime dhe tregon rezultate më të shpejta. Por, për këtë nevojiten struktura të mirëfillta që ta vendosin Shqipërinë në radarin e turizmit shëndetësor”, – thotë Arbri nga “DaVinci”.

Por si funksionon? Administratorja e Agjencisë HTA thotë se, klientët përgjithësisht vijnë nga Italia, duke na kontaktuar direkt kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale, ose nëpërmjet Agjencive partnere. “Kjo ndodh për shkak të afërsisë midis dy vendeve. Gjithashtu, këtë vit, i kemi dhënë shumë vëmendje në komunikim dhe marketing edhe një shteti si Anglia, sepse të dhënat tregojnë që ka një rritje kërkesash në këtë fushë, e cila më parë ishte e paeksploruar. Mungesat në fonde, shkurtimet në stafin mjekësor, lista të gjata pritjeje, si dhe pasiguritë rreth Brexit bëjnë që pacientët anglezë të eksplorojnë opsione “loë cost” jashtë vendit të tyre.

Për më tepër, në një vend si Anglia, ku edhe pse shërbimet private janë të shumta, janë të papërballueshme për shumicën e popullatës. Ja pse Shqipëria është një zgjedhje perfekte edhe për anglezët”, – thotë znj. Shahini.

Ajo shton se, ngjarjet e fundit politike kanë ndikuar disi në krijimin e një paqartësie te të huajt, të cilët kanë telefonuar apo janë interesuar paraprakisht se çfarë po ndodh.

Shërbimet për të cilat ka më shumë kërkesa në këtë agjenci janë në fushën e fertilitetit, përkatësisht Fertilizimit in-vitro, më së shumti nga çifte mbi moshën 40 vjeç. “Në Angli, ky lloj shërbimi që përkufizohet si jo-urgjent, është kufizuar shumë, po ashtu edhe në Itali. Dhe të shumta janë çiftet që preferojnë Shqipërinë dhe spitalet tona. Mbjellja e flokëve është gjithashtu në rritje, ku pacienti ka mundësi që të kryejë të gjithë procedurën brenda 24 orëve e më pas të kthehet në vendin e tij.

Përpos kësaj, mund edhe të shijojë bukuritë natyrore të Shqipërisë, për shërbime që nuk kanë nevojë për periudhë të gjatë rikuperimi. Apo për shembull për një zbardhje dhëmbësh. Katarakti i syrit është një shërbim tjetër i kërkuar, nëpërmjet të cilit me një kohëzgjatje prej 15 minutash, pacienti ka një përmirësim të qartë dhe të qëndrueshëm të shikimit. Kërkesë ka edhe në trajtimin e dhëmbëve dhe në kirurgjinë plastike. Kjo për shkak të cilësisë dhe çmimeve jo vetëm në Europë, por edhe në Ballkan”, – përfundon znj. Shahini. Burimi/ Monitor

Të fundit