Flash News

KRYESORE

Shqipëria rekord vrasjesh, ka nivelin më të lartë në Europë

Shqipëria mban rekord për numrin më të lartë të vrasjeve në Europë. Përjashtim këtu bëjnë vetëm vendet e ish Bashkimit Sovjetik.

Këto janë të dhënat për periudhën e viteve nga 2012 në 2016. Të dhënat janë botuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën, UNODC, në raportin ‘Studimi global për vrasjet, 2019’, publikuar së fundmi.

Të dhënat e publikuara nga revista Monitor tregojnë se për periudhën e marrë në studim, Shqipëria kishte gati 4 vrasje për 100 mijë banorë, nga 6.1 që është mesatarja botërore dhe 3 që është mesatarja e Europës.

 

Sa i përket vendeve me nivelin e vrasjeve më të lartë se Shqipëria, ato janë Estonia, Moldavia, Ukraina, Lituania dhe rekordin e mban Federata Ruse, me më shumë se 11 vrasje për 100 mijë banorë.

Ndërsa vendet me nivelin më të ulët të vrasjeve janë Luksemburg, Irlandë, Norvegji, Austri, Spanjë, Holandë etj (me më pak se 1 vrasje për 100 mijë banorë).

Në rajon, krahas Shqipërisë, nivel të lartë vrasjesh ka dhe në Mal të Zi.

Në Shqipëri, vrasjet janë më të larta sesa ato parashikohet që duhet të ishin duke marrë në konsideratë indikatorët socioekonomikë, në bazë të të cilave duhet të ishin të paktën gjysma. Vendi ynë shfaq diferencat më të larta mes nivelit të vrasjeve që duhet të kishte bazuar në pritshmëritë social demokratike (2) dhe asaj që ndodh në realitet (4), së bashku me Bjellorusinë.

Shqipëria renditet në Ballkan, së bashku me Malin e Zi, e Maqedoninë, si një nga vendet me përdorim të lartë të armëve të zjarrit në vrasje, me mbi 60% të tyre.

Në një tjetër indikator, vendi ynë renditet i pari në Europë për vrasjet e femrave nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë banorë, nga 1 vrasje për 100 mijë banorë në total. Pra, 70% e vrasjeve të grave në Shqipëri bëhen pikërisht nga burrat me të cilat ato kanë lidhur jetën, apo janë në një marrëdhënie intime. Vendi i dytë në Europë, ku burrat vrasin më shumë gratë është Irlanda (0.7) dhe Kroacia (0.5).

Të fundit