Flash News

KRYESORE

Shqiptarët ndër turistët elitarë në Greqi, vjet shpenzuan 236 milionë euro

Shqiptarët ndër turistët elitarë në Greqi, vjet

Ndërsa më përpara shqiptarët dyndeshin drejt Greqisë në kërkim të një jete më të mirë e për të gjetur punë, tani situata ka ndryshuar. Plazhet greke janë destinacioni i preferuar i shqiptarëve, të cilët shkojnë në vendin fqinj për turizëm dhe argëtim.

Konfederata greke e turizmit informon se vitin e kaluar shqiptarët shpenzuan plot 236 milionë euro në Greqi, vetëm për të bërë pushime. Shifra, e cila është gati sa 2 për qind e prodhimit kombëtar të vendit, po rritet me ritme të shpejta nga viti në vit.

Sipas të dhënave të publikuara, vetëm në katër vitet e fundit, shpenzimet që shqiptarët bëjnë për pushime në Greqi janë rritur me 60 për qind, nga 147 milionë euro që ishin në vitin 2015 në 236 milionë euro vitin e kaluar.

Shqiptarët hyjnë te kategoria e turistëve elitarë, të cilët shpenzojnë më shumë edhe se sa turistët e tjerë që vijnë nga vendet e pasura të Evropës. Sipas konfederatës greke të turizmit, vitin e kaluar një turist shqiptar shpenzoi mesatarisht 68.9 euro për çdo ditë qëndrimi në Greqi.

Kjo shifër është më e lartë se sa shpenzimet ditore të turistëve italianë, atyre holandezë, spanjollë, danezë dhe çekë, vende të cilat kanë një standard dukshëm më të lartë jetese së Shqipëria.

Të fundit