Flash News

KRYESORE

Shtohen lumenjtë e llavës në Hawai, mijëra evakuime të tjera

Ditët e fundit, lumenjtë e llavës që dalin nga vullkani Kilauea në Hawai janë shtuar dhe shpejtuar duke kërcënuar shumë banesa, ndërkohë që autoritet po bëhen gati të urdhërojnë me mijëra evakuime të tjera.

Me dhjetëra shtëpi janë djegur qëkur vullkani shpërtheu në fillim të majit dhe me qindra njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre.

Autoritetet thonë se fluksi i shtuar i llavës po kërcënon rrezikshëm mbylljen e autostradave kryesore, diçka që do të linte me mijëra njerëz pa rrugë evakuimi.

Veç llavës përcëlluese dhe hirit vullkanik, autoritetet paralajmëruan banorët edhe për rrezikun e gazrave toksike që krijohen kur llava e nxehtë takohet me ujin e ftohtë të oqeanit dhe që tani kanë nisur të shpërndajnë maska për frymëmarrjen në popullsi.

Frika mes njerëzve është shtuar pasi u raportua për të plagosurin e parë nga llava.

Shkencëtarët nuk mund të parashikojnë nëse vullkani do të ndalet apo jo, prandaj kanë këshilluar banorët që të jenë në gjendje gatishmërie, pasi asgjë nuk mund të frenojë lumin e llavës.

Të fundit