Flash News

KRYESORE

Shumë e bukur për t’u besuar: Deri në 2021, nuk do të mbesë shtëpi pa legalizuar në çdo cep të Shqipërisë

Shumë e bukur për t’u besuar: Deri në 2021,  nuk do të

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputeti dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, ka premtuar se deri në 2021 nuk do të mbesë shtëpi pa legalizuar në çdo cep të Shqipërisë. Këtë premtim kaq të madh Tahiri e bëri gjatë dëgjesës së radhës me qytetarët e Tiranës për hartimin e programit të ri qeverisës, sot me banorë të ‘’Qytetit të Nxënësve’’ në Njësinë 6, por që është e vështirë për t’u besuar. “Në shtator fillon nga detyra qeveria e re dhe duhet që të ketë pa asnjë diskutim mbi kokë dhe në krah kontributin e secilit prej jush dhe të gjithë atyre njerëzve që kanë një problem por që nuk kanë gjetur dot rrugën për të marrë zgjidhjen nga zyrat përkatëse të shtetit. Pra për të gjithë ata që nuk janë shërbyer sepse nuk kanë marrë atë që meritojnë nga administrata shtetërore dhe për të gjithë ata që jo vetëm kaq, por edhe janë detyruar të japin ryshfet, apo të ndjekin rrugën jo ligjore’’ tha Tahiri.

 Gjatë dëgjesës banorët e ‘’Qytetit të Nxënësve’’  kanë shprehur problemet e tyre ku si gjithmonë ato që i shqetësojnë më shumë janë legalizimet dhe çështjet e pronësisë. Shumë prej tyre kanë mbi 15 vite që rropaten zyrave të shtetit, por nuk kanë marrë zgjidhje.

‘’Nga 2005 deri më sot, nuk e di, kam shkuar 100 herë. Dosja ka qenë dhe kthehet nga ana tjetër dhe shkon nga ana tjetër. Sa i fshihet pluhuri, apo qysh tek nuk e di si është problemi. Do ta bëjmë, do ta bëjmë nuk e di. Kur do marri zgjidhje kjo punë nuk e di’’ tha një banor.

‘’Çdo javë te hipoteka, unë me certifikatë pronësie dhe legalizimin nuk e kam marrë akoma. Dosja jote gjithmonë më thonë që është në përfundim’’ u shpreh një tjetër qytetar.

‘’Unë kam marrë një autorizim nga Edi Rama që kur ishte kryetar bashkie në 2004 për privatizimin e godinës këtu. Nga 2004 e deri më sot vemi atje dhe na sorollasin dhe na kërkojnë lekë thjesht fare’’ tha një qytetar.

Kryetari i PS-së të Tiranës Saimir Tahiri njëherësh edhe deputet i zonës siguroi banorët se të gjithë shqetësimet e tyre do t’i adresojë te organet shtetërore dhe premtoi se në këtë mandat çështjet e legalizimeve do të mbyllen.

‘’Në 4 vitet e ardhshme nuk do të mbesë shtëpi pa legalizuar në çdo cep të Shqipërisë’’ shtoi ndër të tjera Tahiri.

 

Të fundit