Flash News

KRYESORE

Më shumë mbrojtje për deputetët e korruptuar, Mustafa Nano: Socialistëve u ka hyrë frika në palcë

Më shumë mbrojtje për deputetët e korruptuar, Mustafa Nano:

Analisti Mustafa Nano e komenton propozimin e PS për ndryshimin e rregullores së Kuvendit që forcon imunitetin e deputetëve, si shprehje e frikës që u ka hyrë në palcë socialistëve, e kjo do të thotë se drejtësia nuk do të jetë në dorë të tyre. Sipas tij lëvizja e fundit e mazhorancës që e detyron Prokurorinë të sjellë prova kur kërkon arrestimin e deputetëve tregon edhe njëherë se sistemi i drejtësisë që po ngrihet nuk do të jetë i kontrolluar nga palët. Me këtë bie edhe zhurma e opozitës se sistemi po bie në dorë të socialistëve.

Opozita me një tjetër propozim sfidues për mazhorancën: Deputeti që shkel rregulloren, të humbasë mandatin

Pjesë nga shkrimi i Mustafa Nanos te ‘Mapo’:

Në fakt, në rastin “Tahiri” socialistët iu kërkuan prokurorëve prova, dhe ishte ky justifikimi që ata paraqitën për të mos lejuar prokurorinë të bënte arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. “Provat nuk janë bindëse”, u tha. Merret vesh se kanë shkelur rregulloren. Dhe tani, duke mos dashur të ndodhen sërish nesër në të njëjtën situatë, kanë ndërmarrë një nismë për ta ndryshuar nenin që ka të bëjë me imunitetin e deputetëve në rregulloren e Kuvendit. Për këtë u duhen veç votat e tyre.

Kjo është një lëvizje e papritur, ç’është e vërteta. Përballë paralajmërimit apo zotimit mbi arrestimin e peshqve të mëdhenj, të gjithë ne kishim zënë të bënim pyetjet: “Po si do bëhet kjo përderisa peshqit e mëdhenj kanë imunitet ndaj arrestimit? E përse do shërbejnë prokurorët e gjyqtarët specialë, nëse arrestimi i këtyre peshqve është në dorë të parlamentit? A nuk ka rrezik që SPAK-u të shndërrohet në një organizatë joqeveritare?” (ky krahasimi i SPAK-ut me një organizatë jo qeveritare është i Bashës; e tha dje). Dhe pikërisht në këtë rrethanë, socialistët ndërmarrin këtë nismë për ta fuqizuar edhe ca më shumë këtë mbrojtje. Kërkojnë të bëjnë pjesë të rregullores praktikën antirregullore që ndoqën në rastin “Tahiri”. Duan pra që prokurorët të vinë me prova në Kuvend. Duan gjithashtu që deputeti, për të cilin kërkohet arrestimi, të ketë të drejtë t’u bëjë pyetje prokurorëve gjatë shqyrtimit të kërkesës së tyre, dhe të bëjë shpjegimet e veta. Duan më në fund që votimi mbi kërkesën e prokurorëve të mos jetë më i fshehtë, dhe kështu t’i japin mundësi deputetit nën akuzë, por edhe gjithë opinionit publik, që të marrë vesh se cilët deputetët kanë votuar pro e cilët kundër. Shkurt hesapi, duan t’ua bëjnë malore punën prokurorëve në rastin që këta të fundit do duan të hetojnë peshq të mëdhenj.

Kjo gjë bie erë. Një nismë e tillë në një kohë që Reforma në Drejtësi është në proces zbatimi tregon se në parlament ka njerëz që i ka zënë frika. Disa syresh kanë zënë të mendojnë, me sa duket, në këtë mënyrë: “Deri dje nuk kishim fare nevojë për mbrojtje, pasi nuk ishim të kërcënuar; organi i akuzës kishte një kompleks subordinimi ndaj politikës e ndaj parlamentit; mirëpo tani organi i akuzës po na del nga duart; prokurorët, sidomos ata të njësisë speciale, dhe gjyqtarët, sidomos ata të Gjykatës speciale, do të jenë si mina shëtitëse me sahat, kështu që nuk do ishte keq sikur të merrnim ndonjë masë mbrojtëse shtesë”. Mbi bazën e kësaj logjike, u ka shkuar mendja të ndryshojnë rregulloren. Sepse nuk u ka mbetur gjë tjetër për të bërë. Procesi ka ecur shumë përpara për të patur mundësinë që ta sabotojnë. E shumta që mund të bëjnë, është ta ngadalësojnë këtë proces, por jo ta bllokojnë.

Saktësojmë: kjo është një nismë e socialistëve. Lind pyetja: I ka kapur frika socialistët? Sigurisht. Madje, u ka hyrë në palcë. Ata e kanë shitur reformën si një gjë të tyren, dhe në një masë të madhe ka qenë bash kështu (ata e nisën, ata e mbështetën, ata e çuan deri në fund procesin, pa bërë asnjë naze), por kjo nuk do të thotë se drejtësia do të jetë në dorë të tyre. Mbi të gjitha, atyre u kallin datën prokuroria speciale e gjykata speciale. Kështu që përsërisim: socialistët i ka zënë frika. Demokratët e LSI-stët e kanë demonstruar me kohë që kanë qenë të terrorizuar nga reforma, por frika e socialistëve ishte një gjë e panjohur. Kjo tregon edhe njëherë se sistemi i drejtësisë që po ngrihet nuk do të jetë i kontrolluar nga palët. Me këtë bie edhe zhurma e opozitës se sistemi po bie në dorë të socialistëve.

 

Të fundit