Flash News

KRYESORE

Shumica thotë se e mbështet reformën, por këto pesë argumente tregojnë të kundërtën

Shumica thotë se e mbështet reformën, por këto pesë

Shumica shqiptare vazhdimisht shprehet se është pro reformës në drejtësi dhe e konsideron atë suksesin më të madh edhe të mandatit të vet qeverisës. Në ligjërimin e tyre politik reforma përdoret vazhdimisht, sidomos kur mazhoranca ndodhet përpara ndonjë akuze nga opozita politike.

Në përgjigje, gjithnjë shumica thotë se opozita ka frikë nga reforma në drejtësi, se kjo e fundit do tu japë përgjigjen e merituar, se reforma në drejtësi është zgjidhja e problemeve dhe se reforma po ecën vetëm falë mbështetjes së saj. Por pesë argumentet më poshtë tregojnë se edhe ata nuk janë rehat me reformën.

Ky është përfundimi i raportit “Reforma në Drejtësi: Bilanci 2018-2019 – Monitorim, Analizë, Problematika“, të përpiluar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP).

Argumentet

  1. Në fakt, një analizë e ftohtë e raporteve të mazhorancës me reformën në drejtësi, të ofron argumente për të krijuar bindjen se ajo ka një perceptim të gabuar për reformën dhe mungesë reale vullneti politik për suksesin e saj. Për shembull, kryeministri thotë se e mbështet fuqishëm reformën pavarësisht se siç ai thotë, - nuk e ka lexuar paketën e ligjeve të reformës dhe as ndryshimet kushtetuese. Ai thotë se e mbështet reformën duke besuar tek ndërkombëtarët. Nga ana tjetër, ai nuk lë rast pa sulmuar e denigruar gjyqtarë apo prokurorë që marrin vendime që mund të cenojnë interesat e partisë së tij. Rasti më i fundit ishte vendimi i dy gjyqtarëve në Tiranë e Durrës lidhur me mandatet e të zgjedhurve vendorë. Gjyqtarët u denigruan publikisht dhe u paralajmërua largimi i tyre me reformën në drejtësi, - një e vendim që në asnjë rrethana nuk i përket as kryeministrit, as qeverisë, as parlamentit dhe as Partisë Socialiste në pushtet.
  2. Po ashtu, një numër skandalesh ku janë përfshirë politikanë e zyrtarë të lartë të mazhorancës bënë headline në media dhe sjellja e mazhorancës përfshirë e kryeministrit në këtë rast ishte tipike: ata sulmuan ashpër prokurorët që kanë nxjerrë të dhënat në media, madje cituan emra konkretë, të cilës sipas tyre duhet të largohen e do të largohen nga sistemi i drejtësisë. Hetimet e Prokurorisë nuk i vërtetuan akuzat e tyre, por kjo ka pak rëndësi në politikë. Gjithashtu mazhoranca refuzoi të ndihmojë hetimet për skandale të tilla dhe mbështeti çdo masë administrative që pamundëson hetimin, përfshirë transferimet e vazhdueshme të dosjeve, deri në veprimin ekstrem, nisjen e procesit gjyqësor ndaj medias që publikoi skandalin.
  3. Edhe në aspektin ekzekutiv, mazhoranca vonoi rreth një vit për të zgjidhur çështjen e ambienteve të punës së strukturave të reja në drejtësi, vonoi muaj të tërë të kalojë në parlament ligje të paketës së reformës që nuk kërkonin konsensus me opozitën, si dhe nga mënyra sesi u soll sidomos gjatë incidenteve me protestat e opozitës apo të fushatës elektorale, mbivendosi policinë e shtetit mbi organet e hetimit duke krijuar idenë dhe perceptimin se nuk është drejtësia por policia dhe qeveria që arreston, burgos dhe dënon.
  4. Aspekti tjetër ku mazhoranca ka sjellje të gabuar ndaj reformës është investimi që ajo vijon të bëjë përmes zyrtarëve të lartë të saj, për të ndikuar në përzgjedhjen preferenciale në organet e reja të drejtësisë. Investimi është publik (duke anatemuar rivalët e mundshëm në garë) ose indirekt (përmes lobimit personal apo promovimit të anëtarëve të familjeve të individëve që duhet të marrin vendime për postet e reja në sistemin e drejtësisë).
  5. Së fundi, mazhoranca është sforcuar në retorikën e saj se të larguarit nga sistemi janë përgjegjësi e opozitës së djathtë dhe e kohës kur ata kanë qenë në pushtet. Në fakt, një analizë krahasuese e të dhënave tregon se të shkarkuarit kanë qenë njësoj të mbështetur nga dy palët dhe se figura të njohura të promovuara nga të majtët, përfshirë kryeprokurorë apo anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, janë pjesë e të shkarkuarve. Mazhoranca nuk lë rast pa etiketuar gjyqtarë e prokurorë “me mbështetje të djathtë” që shkarkohen dhe nuk ka një rast të vetëm të ketë mbështetur publikisht një vendim të KPK apo KPA për shkarkimin e gjyqtarëve apo prokurorëve “me mbështetje të majtë” gjatë viteve të tranzicionit

Të fundit