Flash News

KRYESORE

Si futet një kullë në thes. Leksione nga Edi Rama

Si futet një kullë në thes. Leksione nga Edi Rama

Alfred Lela

Të krijosh dukjen e një debati për Teatrin është suksesi i parë që ka arritur kryeministri Edi Rama me të tijtë në gjithë këtë gjullurdi, ku herë flitet për kulla, herë hapësira publike, herë trashëgimi kulturore dhe, herë të tjera, njëri-gozhdës-e-tjetri-patkoit, për hiçmosgjë.

Edhe dukja vetë, pra simulimi i një përplasjeje idesh, konceptesh, estetikash apo etikash është një teatër më vete. Sot, për shembull, doli, lajm-mbi-lajm, shpallja e freskët se projekti i Teatrit që ka ndërmend Rama është kopja e punës së një arkitekti apo ‘urban designer-i’ ukrainas.

Who gives a fuck!

Venndodhja e Teatrit, pamja, dizajni, arkitektura, koha kur do shembet i vjetri dhe të ngrihet i riu, nuk janë gjë tjetër veçse hi syve. Nën pluhurnajën rozë të këtij hiri me pahir po bëhet gati ngadhënjimi i Kullës apo kullave të radhës.

A e mbani mend refrenin që u këndua, partizançe, si në malet-me-blerim-mbuluar,  nga të gjithë d’artanjanët e Ramës, të prirë nga dy artanët me bashkën e artë të qytetit në majë të brirëve, Lame dhe Shkreli, se si ato ndoca pemë që pat mbjellë kryetari demokrat i Bashkisë, para dhe anash Skënderbeut, u pagëzuan me ‘këta e kanë pyllin në kokë’.

Domethënë një luftë klasash me mjete të tjera, ku gjithë ç’i nevojitet Shqipërisë, e bashkë me të Tiranës, e dinë vetëm këta përparimtarët e së majtës, ndërkohë që konservatorët dinë asgjë veçse bartin traditat e tyre të konservuara trashë.

Tani, ai pyll ka ikur dhe vendin e tij e ka zënë pemë të rralla, lesht-e-currit, përmbi gurmermerin e gjiiiiiithëëëëëëë krahinave të Shqipërisë. Askush nuk e pa megjithatë se sheshi ishte preteksti për rrethimin me kulla.

Siç askush nuk po e sheh dot se Teatri është sërish preteksti për kullat e tjera. Siç kaloi (po shkoi miu njëherë nën mustaqe e bën rrugë) si risi edhe stadiumi me kullë apo kulla me stadium.

Vini re! se si të gjitha institucionet e kulturës dhe sportit kombëtar po shndërrohen, apo zhduken, dhe në këtë sipërmarrje do të gjeni dy shenja të mëdha.

E para është qëllimi i përfitimit, pra përdorja e një institucioni si stadiumi, Teatri, etj., për të ngritur në gjurmën e tyre një qendër komerciale prej së cilës objekti apo institucioni origjinal merr si hapësirë, jo më shumë se 1-5 përqind dhe tjetra bëhet ‘kullë’.

E dyta, është tendenca që institucionet që ‘bien’ janë të gjitha pjesë e traditës arkitektonike që lidhet me trashëgiminë e Mbretit Zog i cili mori arkitektë italianë për të stampuar në portretin e Tiranës një pamje serioze që e oksidentalizonte fshatin e madh të Shqipërisë së Mesme.

Piramidën e Enver Hoxhës nuk e kërcënon asnjë kullë. Ajo nuk do të prishet për t’i dhënë një kat në ngrehinë disa dhjetëra katësheve. Stadiumi nuk e pati këtë fat. As edhe Teatri.

Kemi të bëjmë pra, me dy lloje Restaurimesh: financiar dhe politik.

Teatri, skena, aktorët, protesta e tyre, derivati kulturor i së gjithës, është vetëm një pretekst.

Të fundit